De Biasi, reagon FSHF

Jona Dervishi, drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka pasqyruar edhe frymën e institucionit në raport me selektorin Gianni de Biasi.

Sport

09/09/2015 15:32

Një ditë përpara ndeshjes Shqipëri-Portugali, jo i gjithë ambienti sportiv ka qenë në mbështetje të Kombëtares.

Aq më pak të trajnerit De Biazi. Në institucionin e futbollit në Shqipëri, është një frymë e tillë që nuk po shkon në sintoni të plotë me mbështetjen maksimale që po merr Kombëtarja dhe trajneri Gianni De Biasi nga mbarë opinioni sportiv në Shqipëri dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

E ftuar në emisionin sportiv “Ora Skaner”, me moderatorin Gerti Çarçani, Jona Dervishi, drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka pasqyruar edhe frymën e institucionit për të cilin është edhe zëri zyrtar.

“Është kënaqësi që të bashkëpunosh me De Biazin, por e di se çfarë dua që të cilësoj diçka. Me të vërtetë që ekipi ynë ka marrë emër nga De Biazi, por duhet ta kuptojmë që jemi ne që e bëmë të famshëm De Biazin. – Kush ne? Kombëtarja jonë! – Jeni e sigurt për këtë? Patjetër. Janë në marrëdhënie bilaterale që nuk bëjnë dot pa njëri -tjetrin”, ka qenë deklarata e dhënë nga zëri zyrtar i FSHF-së në prezantimin e saj nga moderatori Çarçani, i cili me pyetjet e tij është munduar të zbusë disi qëndrimin zyrtar të FSHF-së, raporton “Panorama Sport”.

E thënë kjo në një emision sportiv, një ditë përpara zhvillimit të një sfide shumë vendimtare për Kombëtaren, është e qartë që pasqyron një ambient aspak komod për trajnerin që të punojë me përfaqësuesen shqiptare, pavarësisht kushteve që mund të ketë të plotësuara për të bërë punën e tij.