BBC ‘transferon’ Seedorfin

Trajneri i Milanit, Clarence Seedorf ka gjetur një angazhim të ri. Ylli holandez do të jetë bashkë-komentator në BBC, gjatë Kampionatit botëror 2014 në Brazil.

Sport

08/05/2014 18:21

Gjiganti britanik BBC ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me trajnerin e Milanit, Clarence Seedorf që ai të jetë bashkë-komentator i ndeshjeve të Kampionatit botëror 2014 në Brazil.

Ish mesfushori holandez kreu këtë detyrë gjatë garës së vitit 2010 në Afrikën e Jugut, dhe BBC ka kërkuar prej tij që të jetë sërish pjesë e ekipit të tyre që do të mbulojë ngjarjen në Brazil.

“Seedorf ka qenë i ftuar nga BBC gjatë Kampionatit botëror në Afrikën e Jugut më 2010, dhe prej asaj kohe palët kanë ruajtur raportin e shëndoshë”, deklaroi menaxherja e Seedorfit, Deborah Martin.

“Andaj, Seedorf do të marrë pjesë me BBC-n edhe në Kampionatin botëror 2014, por vetëm për disa ndeshje të caktuara gjatë muajit qershor, duke shfrytëzuar ditët e lira nga angazhimet e caktuara me Milanin, njësoj siç ka bërë më 2010 pas pushimit mes sezoneve sportive”, u shpreh ajo.

Seedorf u emërua trajner i Milanit në janar, pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit.