Bayerni lëshon pikët e para këtë sezon

Bayern Munich ka barazuar 1-1 ndaj Augsburg, në derbin e Bavarisë, duke lënë pikë, për herë të parë në këtë edicion të Bundesliga.

Sport

25/09/2018 22:25

Episodi i parë vendimtar për vendasit erdhi në minutën e tretë të pjesës së dytë, kur Serge Gnabry mblodhi te vetja të gjithë mbrojtjen e Augsburg, përpara se të pasonte te Arjen Robben, për të cilin ishte si një lojë fëmijësh të shënonte me portën e boshatisur.

Ky ishte goli numër 98 i holandezit në Bundesliga, vetëm gjashtë futbollistë kanë shënuar më shumë se ai nga të gjithë të huajt që kanë luajtur në kampionatin gjerman.

Gjithsesi, festa e Bayern u prish tre minuta para fundit kur gjatë një rrëmuje në zonën e vendasve Felix Gotze barazoi për miqtë. Ai është vëllai i vogël i Mario Gotze dhe është rritur pikërisht në akademinë e Bayern.

Në vendin e dytë të kampionatit, dy pikë larg Bayern është Werder Bremen, që fitoi 3-1 ndaj Hertha të vendit të tretë. Pikërish Hertha do të jetë kundërshtari i ardhshëm i Bayern.

Në sfidat e tjera të luajtura në mbrëmjen e kampionatit gjerman, spikat fitorja e Hoffenheim, 1-2 në Hannover, ndërsa Freiburg mundi Schalke me rezultatin 1-0.