Barcelona lavdëron Luis Enriquen

Andoni Zubizarreta e ka bërë të qartë se çka mendon për trajnerin aktual të Celta Vigos, Luis Enrique. Drejtori sportiv i Barcelonës e konsideron trajner të madh spanjollin, i cili mund ta zëvendësojë Gerardo Martinon.

Sport

12/05/2014 14:50

Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta e ka shprehur admirimin e tij për trajnerin aktual të Celta Vigos, Luis Enrique, pas spekulimeve se ish futbollisti spanjoll mund ta zëvendësojë Gerardo Martino në krye të gjigantit katalunas.

Pozita e trajnerit argjentinas në Blaugrana është lëkundur shumë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, por edhe humbjes në finale të Copa del Rey.

Mrekullisht, katalunasit e shohin veten pranë titullit në La Liga, por për ta fituar atë, duhet ta mposhtin Atletico Madridin në Camp Nou.

“Luis Enrique? Ai është trajner I madh për Celtan”, ka thënë Zubi për të përditshmen spanjolle Sport, kur u pyet për ish trajnerin e Romës.

Enrique I ka bërë mbi 200 paraqitje me Barcelonën gjatë karrierës së tij, ndërsa e ka nisur punën e trajnerit me ekipin e të rinjve të Barçës.

Ai u largua nga Camp Nou në vitin 2011, pasi e drejtoi ekipin B.