Ancelotti: Reali bëri lojë perfekte

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka lavdëruar ekipin e tij, i cili e mposhti Schalken me rezultat 6:1, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Trajneri italian e ka konsideruar këtë si një ‘ndeshje perfekte’, në të cilën nga dy gola i shënuan Cristiano Ronaldo, Karim Benzema…

Sport

27/02/2014 08:30

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka lavdëruar ekipin e tij, i cili e mposhti Schalken me rezultat 6:1, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Trajneri italian e ka konsideruar këtë si një ‘ndeshje perfekte’, në të cilën nga dy gola i shënuan Cristiano Ronaldo, Karim Benzema Gareth Bale, ndërsa për vendësit golin e nderit e realizoi Klaas-Jan Huntelaar.

“Ndeshja ishte perfekte. Ishte fantastike. Ne luajtëm përgjithësisht mirë, duke punuar si një ekip. Jam krenar me tërë ekipin tim. Gjithçka shkoi si duhet sonte, në mbrojtje dhe në sulm. Veçanërisht tre lojtarët e avancuar, që dukeshin mjaft të rrezikshëm”, u shpreh ish trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat dhe Paris Saint Germainit për Canal Plus.

Përkundër kapitalit të krijuar nga ndeshja e parë, Ancelotti këshillon lojtarët e tij ta respektojnë kundërshtarin dhe tifozët e tij.

Ai insiston se futbolli është i çuditshëm dhe se lojtarët e tij duhet të luajnë në ndeshjen e kthimit, si të ishte rezultati i barabartë nga takimi i parë. Përkundër avantazhit, ai kërkon një lojë të mirë nga të tijët në Santiago Bernabeu.