Alves kërkon turpërimin e fajtorit

Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves kërkon turpërim publik për tifozin që i hodhi një banane gjatë ballafaqimit me Villarrealin në La Ligë të dielën.

Sport

29/04/2014 14:52

Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves ka thënë se tifozi që hodhi një banane në drejtim të tij gjatë fitores 3:2 në Villarreal të dielën duhet të turpërohet publikisht.

Alves u përgjigj duke e hapur dhe ngrënë para se ta ekzekutonte kornerin, gjest që është lavdëruar në anembanë botën e futbollit.

Villarreal ka njoftuar të hënën se i ka shqiptuar dënim të përjetshëm.

Kurse, Alves mendon se kjo nuk mjafton.

“Nëse do të mundja, do ta publikoja një fotografi të tij në internet në mënyrë që ai të turpërohej”, deklaroi 30-vjeçari.

Mbrojtësi po ashtu kritikoi Spanjën për qasjen ndaj racizmit.

“Ka racizëm kundër të huajve. Ata e konsiderojnë shtetin si bota e parë, por në gjëra të caktuara është shumë mbrapa”, u shpreh braziliani.