Adidas pasuron Man Utd-in

Kompania e veshmbathjeve sportive Adidas është shumë pranë realizimit të marrëveshjes së sponsorimit me Manchester Unitedin, në vlerë rekorde prej 60 milionë funtesh në vit.

Sport

06/05/2014 22:21

Adidas është në pozitë të mirë për të siguruar marrëveshje rekorde me Manchester Unitedit për prodhimin e fanellës.

Burime brenga gjigantit të veshmbathjeve sportive kanë bërë të ditur për Daily Mail se palët janë pranë arritjes së marrëveshjes me vlerë prej 60 milionë funtesh në vit, edhe pse sponsori i tanishëm Nike ka të drejtë të barazojë ofertën dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Unitedin, të filluar më 2002.

Por, kjo nuk pritet të ndodh pasi Nike vështirë se do të rrisë vlerën e marrëveshjes aktuale, e paraparë të skadojë në qershor 2015.

Drejtues të Unitedit janë takuar me zyrtarë të Adidasit në Gjermani pas duelit të kthimit me Bayern Munichun në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe persona nga kompania në fjalë kanë qenë prezent në disa prej ndeshjeve të fundit të gjigantit anglez në Old Trafford.

Adidas është duke u përgatitur të realizojë marrëveshjen më të shtrenjtë në histori me besimin se joshja globale e Unitedit mbetet e pandryshuar, pavarësisht sezonit dëshpërues të ekipit, që kulmoi me shkarkimin e David Moyesit nga posti i menaxherit, muajin e kaluar.