A është profesioni i trajnerit, më i vështiri në futbollin kosovar? – Lajmi.net
A është profesioni i trajnerit, më i vështiri në futbollin kosovar?
Autori: Lajmi.net Sport 18:43, 14 September 2018
Të punosh si trajner në Kosovë është njësoj sikur të punosh në horizontin e shtatë të një miniere!”. Kjo është shprehja e zakonshme me të cilën trajnerët kosovarë e shpjegojnë më së miri pozicionin dhe rolin e tyre në futbollin tonë.

Pra më vështirë sesa ata nuk e ka askush në futbollin kosovar, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Për t’i besuar kësaj mjafton të merret parasysh një fenomen që po ndodh javëve të fundit, i cili në fakt tashmë po përsëritet edhe në stinorin e ri, sepse përndryshe si “virus” daton qysh moti.

Kur janë zhvilluar vetëm katër xhirot e para të kampionatit të ri tri klube janë ndarë me trajnerët e tyre. Nuk ka shumë rëndësi nëse klubet i kanë shkarkuar trajnerët ose këta vetë janë dorëhequr. Me rëndësi është se ky fenomen po ndodh në vazhdimësi dhe nuk i shërben të mirës së futbollit.

Dhe pjesa më e madhe e fajit u takon klubeve, të cilave nuk u pritet arritja deri te rezultatet pozitive, të cilat i kërkojnë menjëherë pas investimeve që i bëjnë. Dhe në momentin kur fillojnë t’i frikësohen mundësisë së ngecjes ose e shkarkojnë trajnerin, ose e detyrojnë të dorëhiqet. Për to me rëndësi është ndarje dhe kthimi i shpresës për t’i arritur objektivat, të cilat madje në shumë raste nuk janë reale dhe në përputhje me investimet.

Bekim Isufi është “viktima” e fundit e këtij fenomeni. Derisa në sezonin e kaluar arriti rekord të pamposhtmërisë me Dritën, të cilën e bëri kampione, Isufi kampionatin e ri e nisi krejt ndryshe. Veç një fitore dhe tri humbje në katër ndeshjet e para kampionale e shtyjnë atë të dorëhiqet, ndonëse ndarja e tij me Dritën parandihej qysh para fillimit të kampionatit. Klubi gjilanas kampionatin e ri e nisi si kampion në fuqi me pretendime për ta mbrojtur titullin edhe në stinorin e porsafilluar. Por, katër ndeshjet e para nuk i kanë mjaftuar për ta konfirmuar kandidaturën.

Sidoqoftë, ndarja e Isufit me Dritën kaloi në mënyrë miqësore – me përqafime të ndërsjella.

Një këso ndarje sigurisht do ta pëlqente edhe Sulejman Starova, i cili u nda në mënyrë krejt tjetër me Feronikelin.

Kur trajneri shqiptar e kishte arritur fitoren e shumëpritur klubi ia kishte kërkuar dorëheqjen, të cilën Starova nuk e kishte ofruar duke thënë se është brenda objektivave dhe nuk ka arsye ta japë dorëheqjen e kërkuar.

sulejman-starova-feronikeli-780x439

Por drenicasit nuk e dëgjuan e as nuk e pritën, duke e shkarkuar nga posti i shefit të shtabit teknik pas tri xhirove të para dhe në vend të tij e kishin sjellë nga Maqedonia Zekirija Ramadanin.

Një klub me investime të konsiderueshme, Ballkani, nuk kishte debutuar mirë në Superligë dhe Bekim Shotani, me të cilin klubi nga Suhareka ishte ngjitur në Superligë prej Ligës së parë, e kishte marrë përgjegjësinë duke u dorëhequr dhe duke ia lëshuar vendin Sami Sermaxhajt.

Këngë e mirë nuk po u këndohet as dy-tre trajnerëve tjerë elitarë.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO