“20 min”: Nesër të gjithë kosovarët janë zviceranë

Zvicra takohet me Serbinë në "Kampionatin botëror 2018".

Sport

21/06/2018 10:36

“20 min” ka shkruar për përballjen e nesërme mes Zvicrës dhe Serbisë në kuadër të Botërorit 2018.

Ky tabloid shkruan se ndeshja ka shkaktuar reagime dhe pritje të mëdha – gjithashtu edhe në komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër.

“Me Xhemajlin, Xhakën, Shaqirin e Behramin, katër lojtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, ndeshja për shumëkënd interpretohet si duel midis Serbisë dhe Shqipërisë”, shkruan 20min.

20min ka përcjell reagimet e faqeve të ndryshme nëpër rrjetet sociale dhe ka hasur në një postim të “Albanian_Soccer” në Twitter që ka shkruar se 22 qershori, data kur do të ndeshet Zvicra me Serbinë, është ndeshje e përfaqësueses B të shqiptarëve.

“Ndeshja do të jetë e tensionuar. Do t’i mësojmë serbët se humbja është e shkruar në ADN-në e tyre”, citon 20min të ketë shkruar kjo faqe shqiptare.

Islam Spahiu, diplomat i Kosovës në Zvicër, ka thënë për 20min se ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë është shumë e diskutuar në mesin e shqiptarëve.

“Asnjë ndeshje nuk është diskutuar aq shumë, ndoshta përveç asaj kur Zvicra luajti kundër Shqipërisë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Spahiu.

“Nëse Zvicra fiton kundër Serbisë, do të jetë disi fitore e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe nëse mposhtet, them se edhe serbët do të ndihen njëjtë”, ka shtuar ai.