Vokrri në Zvicër: Ja çfarë ka bërë Infantino për Kosovën

Fadil Vokrri i është gëzuar lajmit për zgjedhjen e Gianni Infantinos, president të FIFA-s.

Sport

26/02/2016 20:36

Sipas kryetarit të FFK-së, pikërisht Infantino ka luajtur rol të madh në procesin e fundit të futbollit kosovar, ku FFK-ja ka aplikuar për anëtarësim në UEFA, dhe tani më 3 maj do të hedhet në votim aplikimi, në Kongresin që mbahet në Budapest.

“Mendoj që është shumë lajm i mirë për ne, sepse kur është deleguar dosja jonë për aplikim në UEFA, dhe që më pas ka shkuar në kongres për votim, president i UEFA-s ka qenë Michel Platini, kurse sekretar Gianni Infantino, që do të thotë se ai ka luajtur rol të madh, dhe ka qenë ai që na ka ftuar në Malt në vitin e kaluar, para se të vendosej për të shkuar aplikimi ynë në Kongres”, ka deklaruar Vokrri ekskluzivisht për GazetaOlle.com, nga Cyrihu, atje ku para disa orësh u mbajtën zgjedhjet presidenciale të FIFA-s.

Vokrri dhe sekretari i FFK-s, Eroll Salihu, ishin vëzhgues të Kongresit të UEFA-s të mbajtur dje dhe të FIFA-s sot.

“Dosja jonë tani do të hedhet në votim më 3 maj, kurse pas 9 ditëve mbahet Kongresi i FIFA-s, që është tjetër lajm i mirë për ne”, shtoi Vokrri.

Ai gjaë këtyre ditëve ka pasur takime të shumta me president federatësh, me të cilët ka shfrytëzuar lobimin para Kongresit të 3 majit, derisa takim jo zyrtar ka pasur edhe me presidentin e ri të FIFA-s, Gianni Infantino.