Zyrtare: Krasniqi, trajner i ri i FC Prishtinës

Ramiz Krasniqi është trajner i ri i FC Prishtinës, duke e zëvendësuar Bylbyl Sokolin i cili dha dorëheqje të hënën.

Sport

21/04/2015 14:06

Pas ndarjes me Bylbyl Sokolin, FC Prishtina është bërë menjëherë me trajner të ri.

Bardhekaltrit sot e zyrtarizuan Ramiz Krasniqin në krye të shtabit teknik, të cilin posa e prezantuan.

Siç dihet, Krasniqi edhe më moti ka qenë trajner i klubit më të madh kosovar, andaj u ndje mirë që u kthye në “shtëpi”.

Mirëseardhje i uruan drejtuesit e FC Prishtinës. Krasniqi e gjeti Prishtinën me 8 pikë larg liderit, Feronikelit, por matematikisht ende ka gjasa për titull të kampionit.

“Unë e kam pas marrë drejtimin e Prishtinës në kohët më të vështira që po i kalonte. Sigurisht që ju kujtohet kur nga pozita e parafundit, brenda gjashtë muajve patëm përfunduar në vendin e dytë. Ne i kemi 8 pikë më pak sesa lideri, por janë edhe dhjetë xhiro deri në fund, dhe gjithçka mund të ndodh, sepse futbollit nuk i dihet. Nëse futbollistët e japin maksimumin nga vetja, tregojnë guxim e karakter fituesi, atëherë mund ta arrijmë”, deklaroi Krasniqi gjatë prezantimit para mediave.