Zvicra heroike, Argjentina përpara
Zvicra i ka bërë rezistencë të madhe Argjentinës, por është dorëzuar në momentet e fundit. Goli i Angel Di Marias e çoi ekipin Albiceleste në çerekfinale të Botërorit.

Sport
Argjentina është çerekfinalisti i radhës i Botërorit. Albiceleste e siguruan një vend në mesin e tetë më të mirëve me mjaft vështirësi, duke e eliminuar Zvicrën e shqiptarëve, të cilën e mposhti me rezultat minimal, 1:0.
Goli i Angel Di Marias, i shënuar në minutën e 118-të ishte i mjaftueshëm që Messi me shokë të shkojnë përpara.
Në anën tjetër, Helvetikët janë mbajtur si burrat, duke u treguar kundërshtar i fortë i Argjentinës.
Për Zvicrën nga minuta e parë kanë luajtur katër futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, ndërsa në vazhdime është inkuadruar edhe Blerim Xhemaili, i cili hyri në vend të Mehmedit.