Mungesa e Ronaldos në varrimin e Diogo Jotës dhe vëllait të tij ngjall reagime të ashpra në Portugali

Ceremonia mortore e ish-futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij Andre Silva, e mbajtur sot (e shtunë) në Gondomar të Portugalisë, ka tërhequr vëmendje të madhe publike, por për një arsye të veçantë – mungesën e Cristiano Ronaldos. Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, i cili për vite me radhë ka ndarë fushën me Jotën, nuk…

Sport

05/07/2025 15:22

Ceremonia mortore e ish-futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij Andre Silva, e mbajtur sot (e shtunë) në Gondomar të Portugalisë, ka tërhequr vëmendje të madhe publike, por për një arsye të veçantë – mungesën e Cristiano Ronaldos.

Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, i cili për vite me radhë ka ndarë fushën me Jotën, nuk ishte i pranishëm as në homazhet e një dite më parë dhe as në ceremoninë e varrimit, ndonëse aty morën pjesë shumë emra të njohur të futbollit portugez dhe ish-bashkëlojtarë të Jotës nga klubet ku kishte luajtur.

Mediat lokale në Spanjë raportojnë se Ronaldo aktualisht po qëndron në Palma de Mallorca, ku është parë në disa prej resorteve më luksoze të zonës, duke shijuar pushimet me familjen.

Kjo mungesë ka nxitur reagime të ashpra në opinionin sportiv në Portugali. Gjatë meshës mortore, gazetari Antonio Ribeiro shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e kapitenit:“Është kapiteni i Kombëtares. Të gjithë e prisnim të ishte aty. Ndoshta ka ndonjë arsye që nuk e dimë, por nëse nuk erdhi, duhet të japë një shpjegim. Ka përgjegjësi, është kapiten”, tha ai.

Edhe më i drejtpërdrejtë ishte komentatori sportiv Luis Cristovao, i cili u shpreh:
“Përderisa është e pashpjegueshme, çdo arsyetim nuk do të jetë i mjaftueshëm për atë që ka munguar.”

Analisti tjetër, Pedro Fatela, tha se kjo çështje nuk do të mbyllet lehtë: “Kjo mungesë do të diskutohet për ditë të tëra. Do ta kuptojmë pse nuk mundi të udhëtonte për në Gondomar, por ai është kapiten. Të gjithë e prisnim të paraqitej.”.