“Zor boll të udhëtohet për në Prishtinë”, të sëmurit nga kanceri kërkojnë që shërbimet t’u ofrohen në spitalet rajonale
Për më shumë se një vit, Sali Ibrahimaj ka lënë shtëpinë e tij në Istog për të jetuar me qira në Prishtinë. Jo nga dëshira, por nga nevoja që bashkëshortja e tij, e cila po lufton me kancerin, ta ketë më afër trajtimin. Kërkesa për shërbime onkologjike më pranë pacientëve po bëhet gjithnjë e më…
Lajme
Për më shumë se një vit, Sali Ibrahimaj ka lënë shtëpinë e tij në Istog për të jetuar me qira në Prishtinë. Jo nga dëshira, por nga nevoja që bashkëshortja e tij, e cila po lufton me kancerin, ta ketë më afër trajtimin.
Kërkesa për shërbime onkologjike më pranë pacientëve po bëhet gjithnjë e më e madhe edhe nga familje të tjera, të cilat kërkojnë që trajtimet për kancerin të ofrohen edhe në spitalet rajonale, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen të udhëtojnë drejt Prishtinës për çdo terapi.
Rruga prej rreth 100 kilometrash deri në Prishtinë ishte bërë tepër e rëndë për Sali Ibrahimajn, sidomos për bashkëshorten e tij, e cila çdo dit duhej të përballej me kimioterapi dhe rrezatim.
Për Ibrahimajn, zhvendosja në Prishtinë ka sjellë kosto shtesë për familjen e tij, përveç shpenzimeve të mëdha që tashmë i ka për trajtimin shëndetësor të familjares së tyre.
“Përditë unë vij se i ka edhe rrezatimet edhe kimioterapinë…Shumë është sfiduese. Më është dashur ta paguaj banesën për shkak të largësisë se është 100 kilometra larg pacientja nuk mund ta përballojë…E kisha parë shumë të nevojshme për shkak se këtu vijnë prej të gjitha komunave dhe po bëhet shumë tollovi….edhe shpenzimet më të vogla edhe për shkak të lodhjes”, tha ai.
Edhe Fatmir Luzha çdo javë niset nga Kaçaniku drejt Prishtinës, duke e shoqëruar bashkëshorten e tij, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë për kimioterapi.
Rruga e gjatë, pritjet me orë të tëra dhe pamjet e pacientëve të shumtë që presin trajtim janë bërë pjesë e përditshmërisë së tij.
Por, ai kërkon vetëm një gjë: që pacientët me kancer të kenë trajtim më afër shtëpisë, në mënyrë që vuajtjes së sëmundjes të mos i shtohet edhe rraskapitja e udhëtimeve të gjata dhe shpenzimeve shtesë të papërballueshme.
“Çdo javë vijnë nga Kaçaniku këtu për kimioterapi për bashkëshorten. Është në gjendje të rëndë. Unë i kisha bërë apel qeverisë ose ministrisë: lë të hapin diku një objekt në Ferizaj, më afër. Jo krejt Kosova të vijë në Prishtinë. Është shumë problem i madh, nuk mund t’i përfshijë Prishtina mbi 1300-1400 janë….Vështirësi më të mëdha më nuk ka ku shkon. 5-6 orë është një seancë. Unë nuk e di si jam duke përballuar. Jam veteran i luftës me 204 euro pagë, nuk di si jam duke e përballuar vetë“, tha Luzha.
Disa herë në muaj, nga Suhareka drejt Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë udhëton edhe Naxhmije Elshani. Çdo ditë kur bashkëshorti i saj, Sejdiu, duhet të marrë trajtim onkologjik, ata detyrohen të zgjohen qysh në orën 4:00 të mëngjesit për të mbërritur me kohë në klinikë.
Edhe për këtë familjare kërkesa e vetme është që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Prizren, në mënyrë që pacientët nga rajoni të mos detyrohen të udhëtojnë deri në kryeqytet për trajtim.
“Prej Suharekës është zor boll. Unë zgjohem në orën 4:00, i jap pak mëngjes shokut edhe këtu vijmë në 5:20 për të marr numrin dhe për të pritur…Kisha lutur nëse ka mundësi të ofrohet si shërbim afër Prizrenit se është regjion i madh, ka shumë të përfshirë me këtë sëmundje që na u ka bërë si lule në bahçe….Nuk është sikur këtu të zgjohesh në ora 04:00 e atje në orën 7:00 dhe shkoj në Prizren të kryej punë”, tha ajo.
E për krejt këto kërkesa të pacientëve përgjigje ka ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai thotë se mungesa e interesimit të onkologëve për të aplikuar në konkurset që po hapen në spitalet rajonale po ndikon që ky shërbim të ngec e të mos shpërndahet.
“Kemi hapur shërbimin e terapisë tabletare në spitalin e Prizrenit, por e kemi parë që as kjo nuk ka mjaftuar dhe në ndërkohë çfarë kemi bërë është plani që shërbimet jo vetëm tabletare, por edhe infuzione që nuk kërkojnë prezencën domosdo të onkologut të jepen në Prizren e ndërkohë kemi hapur edhe konkursin për onkolog në spitalin e Pejës, mirëpo fatkeqësisht nuk është lajmëruar asnjë onkolog, përkundër se ka pasur disa herë presione dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, pse nuk po hapen konkurset për onkologë. Tash duhet ta dimë: shërbimet, pajtohem plotësisht me ju, duhet të decentralizohen pikë së pari që mos të jetë fluksi i madh i pacientëve në QKUK, por edhe e dyta që pacientët onkologjikë t’i kenë sa më afër shërbimet onkologjike. Mirëpo, në anën tjetër, secili onkolog nuk mund që të vijë vetëm në Qendrën Klinike Universitare. Ne do të hapim prapë konkurse edhe në Prizren, edhe në Pejë, sepse pas Prizrenit, Peja është qendra tjetër, e cila do të fillojë me përgatitjet për hapjen e shërbimeve onkologjike atje”, tha Vitia.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë kërkon që shërbimet shëndetësore që mund të decentralizohen në spitalet rajonale duhet të ofrohen sa më shpejt. Sipas tyre, kjo do t’ua lehtësonte pacientëve qasjen në trajtim, do të ulte shpenzimet shtesë dhe njëkohësisht do të zvogëlonte ngarkesën në Qendrën Klinike Universitare.
Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra, e konsideron të padinjitetshëm trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet onkologjike.
“Trajtimi i tyre është i padinjitetshëm, mund të themi me plot gojën, për shkak se ata kanë një sëmundje të rëndë, duan një trajtim shumë të specializuar edhe me sa më pak peripeci që ata duhet t’i kenë, sepse sëmundja mjaftueshëm i ka dëmtuar ata. T’i bëjmë nga të gjitha vendet e Kosovës, disa njerëz, të cilët kanë probleme të tilla, për të cilat po flasim, atëherë është jashtëzakonisht e vështirë për ta, për familjet e tyre dhe thashë, shpeshherë ata zhyten në shpenzime të papërballueshme për shkak të sëmundjes”, tha ai.
Se shërbimet shëndetësore sidomos për pacientët që vuajnë nga kanceri duhet të shpërndahen edhe në qendrat rajonale e thotë edhe Saranda Ramaj njohëse e politikave shëndetësore.
Praktikën e koncentrimit të shërbimeve shëndetësore vetëm në QKUK e konsideron praktikë të gabueshme dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Mendoj që një riorganizim i SHSKUK-së do ta mundësonte që shërbimi për pacientët me kancer të jetë shumë më afër me qytetarin. Nuk ka problem ligjor, sepse SHSKUK-ja në vete ka QKUK-në dhe spitalet regjionale. Pra, mjekëve do t’u binte të lëvinin nga QKUK-ja në një pikë tjetër të një sistemi unik. Mendoj që koncentrimi i shërbimeve jo vetëm onkologjike, por edhe shërbimeve të tjera në QKUK, është gabim dhe përveç që është gabim, është po ashtu në kundërshtim me krejt dokumentet që Ministria e Shëndetësisë i ka në tavolinë”, shprehet ajo.
Vitin që lamë pas në Kosovë janë regjistruar rreth 2 mijë e 100 raste të reja të kancerit. Ndërsa, në mars të këtij viti, Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në vend, në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje po rritet nga viti në vit.
Sipas kësaj shoqate, pavarësisht nevojës së madhe për shërbime onkologjike dhe ngarkesës së vazhdueshme në sistemin shëndetësor publik, disa specialistë të rinj të onkologjisë vazhdojnë të mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike. /KP/