Zigic në bisedime me Arsenalin

Arsenali ka befasuar duke hyrë në bisedime për transferimin e sulmuesit Nikola Zigic. Gjiganti serb është futbollist i lirë pas largimit nga Birmingham.

Sport

27/08/2014 17:06

Arsenali është në bisedime me sulmuesin Nikola Zigic rreth transferimit të tij të befasishëm në Emirates Stadium, ka njoftuar menaxheri i futbollistit, Milan Calasan.

Gjiganti me 202 centimetra është futbollist i lirë pas largimit nga Birmingham City në fund të edicionit të shkuar, dhe Arsenali e ka identifikuar për zëvendësim afatshkurtër të Olivier Giroud të lënduar.

“Wenger më telefonoi të martën dhe shprehu dëshirën e tij për transferimin e Zigicit. Ai më ka ofruar kontratë deri në fund të vitit me mundësi të vazhdimit më 2015, do të shohim se si përfundon krejt kjo”, deklaroi Calasan për mediat serbe.

Zigic realizoi 36 gola në 148 ndeshje për Birminghamin.