Podujeva thyen tabunë e bastioneve politike, priten ndryshime dramatike të pushteteve në zgjedhjet e ardhshme lokale

Fatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në komunën e Podujevës, komunë kjo që llogaritej bastion i saj, do të mund ta kenë edhe partitë e tjera në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Lajme

03/12/2020 21:30

Pas dy dekadave Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pësoi humbje nga Lëvizja Vetëvendosje në qytetin e Podujevës, qytet ky që llogaritej bastion i partisë së Isa Mustafës.

Mirëpo, ajo që ndodhi në Podujevë, mund të ndodhë edhe në komunat e tjera dhe se asnjë parti më nuk mund të pretendojë se bastion i tyre është një qytet i caktuar.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se zgjedhjet e 29 nëntorit në Podujevë kanë treguar se bastionet mund të shuhen në zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2021 dhe se përveç kësaj, qytetarët janë lodhur nga pushteti i njëjtë tash e sa vite.

Për këtë arsye sipas njohësve të politikës të gjitha partitë politike duhet të angazhohen dhe të punojnë edhe më shumë për zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm.

Imer Moshkolaj, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për lajmi.net, se partitë politike në qytetet ku i konsiderojnë si bastione nuk duhet të ndjehen komod, pasi siç theksoi Mushkolaj, qytetarët as nuk ua kanë borxh e as obligim votën.

Sipas tij, zgjedhjet në Podujevë kanë dhënë një mesazh shumë të qartë dhe serioz për të gjitha partitë politike në Kosovë.

Mushkolaj ka thënë se, LDK-ja ka humbur në Podujevë nga LVV-ja për shkak të sjelljes që ka pasur ndaj votuesve të saj në zgjedhjet e përgjithshme, ku edhe ishte proklamuar koalicioni mes këtyre dy partive politike.

“Së pari, partitë politike duhet ta kenë të qartë se bastionet ku qeverisin qytetarët nuk ua kanë borxh votën, për shkak se në këto komuna sikur e kanë krijuar njëfarë komoditeti se qytetarët janë të obliguar që të votojnë për ta edhe zakonisht bastionet i bëjnë politikanët, kryetarët e komunave dhe tjerët që qeverisin, jashtëzakonisht arrogant edhe të papërgjegjshëm. Kështu që çdo shembje e bastionit të cilësdo parti politike është lajm i mirë për shkak se thjeshtë e prish atë komoditetin e politikës edhe iu jep pak më shumë shanse qytetarëve për me pa edhe kandidatë të tjerë. Jo domosdoshmërisht kandidatët e tjerë ose opsionet e tjera politike munden me qenë të mira, por megjithatë dalin prej asaj amullie, në këtë rast sikurse Podujeva, 20-vjeçare edhe shohin diçka tjetër, pra provojnë diçka ndryshe. Kështu që kjo çka ka ndodhur në Podujevë, duhet të jetë sinjal serioz për partitë politike që thjeshtë të fokusohen më shumë në punë në kuptimin që t’i kryejnë obligimet e veta në komunat ku ata e kanë pushtetin, përndryshe mund ta pësojnë sikurse LDK-ja në Podujevë, por duke e pas parasysh që Kosova është një vend i vogël edhe në këtë rast në Podujevë ka pasur ndikim shumë të madh edhe qasja e LDK-së në përgjithësi në këtë vitin e fundit do me thënë prej zgjedhjeve të kaluara, unë besoj se kjo ka me shkua muajve të ardhshëm duke iu hakmarrë LDK-së pikërisht për qasjen që e ka pasur në radhë të parë ndaj votës së elektoratit të vetë dhe së dyti edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak se të gjithë e dimë se para 6 tetorit vitit të kaluar në fakt ky kombinimi LDK-LVV shihej si njëfarë shprese për qytetarët të paktën njëfarë shprese ishte proklamuar ashtu”, theksoi Mushkolaj për lajmi.net.

Sipas tij, nuk do të duhej të kishte bastione në Kosovë dhe se fatin e Podujevës mund ta kenë edhe qytetet e tjera, përkatësisht partitë e tjera që një komunë e cilësojnë si bastion të tyre.

“Nuk do të duhej asnjë kryetar komune dhe asnjë parti politike që ka ende bastione në Kosovë me u ndje komod dhe i sigurt se nuk do të ndodhë ajo që i ka ndodhur Podujevës. Pra fatin e Podujevës munden me e pas edhe bastionet e tjera për shkak se secili qytetar sot e sheh çka është mirë, secili qytetar ose shumica nuk e japin votën bllanko në kuptimin që thjeshtë po votojmë se duhet me e votua këtë parti, por në këmbim të asaj vote thjeshtë kërkojnë mirëqenie, edhe kur kjo mirëqenie nuk iu ofrohet, është shumë e natyrshme që pastaj të lëvizin edhe opsionet politike”, u shpreh Mushkolaj.

Lexo edhe: 

Shpejtim Bulliqi nuk do të bëjë mrekullira në Podujevë – i detyruar të zbatojë planin e LDK-së

Se në zgjedhjet lokale të vitit 2021 do të mund të shuhen të gjitha bastionet e partive politike, e thotë edhe njohësi i zhvillimeve politike, Rasim Alija.

Alija ka thënë për lajmi.net, se ka shumë gjasa që në zgjedhjet lokale të vitit 2021, të ketë edhe ndërrime të pushteteve.

Sipas tij, e tërë kjo do të ndodhë pasi siç theksoi Alija për lajmi.net, ekziston një frymë për ndryshim pushteti tek qytetarët, por edhe ndërgjegjësimi i tyre do të bëjë që të pësojnë partitë politike sepse sipas tij, qytetarët më nuk do të japin votë bllanko.

“Gjasat janë të mëdha që të ketë ndërrime të pushteteve në qoftë se flasim për nivelin lokal, gjasat janë të mëdha që të ketë ndërrim të pushteteve sepse ka qenë cikël i vazhdueshëm. Janë ndërruar pushtetet, janë ndërruar subjektet politike, për shembull në Pejë, Gjakovë, janë ndërruar në Kamenicë, Gjilan, madje Gjilanin e pati fituar zotëri Lutfi Haziri duke u rikthyer sërish që të kandidojë. Pra gjasat janë shumë të mëdha që të ketë një ndërrim të pushtetit mirëpo jo në masën sa do të mund të kishte në nivelin qendror ose në zgjedhjet parlamentare ku qytetarët i zgjedhin deputetët. Sepse sa do ku do, niveli lokal e ka këtë elementin tjetër e që është i lidhur me figurën e kandidatit që kandidon prej subjektit politik në atë komunë. Votuesi zakonisht është i lidhur për atë kandidat, preken interesat lokale shumë më direkt se sa në nivelin qendror. Flitet për shembull për çështje të rrugëve, kanalizimit, ndriçimit publik, të subvencioneve, pra është diçka që ndikon direkt në jetën e qytetarit. Dhe këtu pastaj hyn në lojë edhe sjellja e votuesve. Mirëpo se ekziston një frymë e ndryshimit të pushteteve, gjithsesi se ekziston e madje, madje mund të themi që me gjasë të madhe qytetarët edhe janë vetëdijesuar, kjo fryma e ndryshimit të pushtetit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 me gjasë do të reflektojë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në tetorin e ardhshëm për faktin se vërehet se qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe mund të kemi edhe aso situate ku më nuk mund të flitet për bastione. Pra qytetari është ndërgjegjësua. Jo më votë blanko për subjektet politike, jo më votë blanko për kandidatët e subjekteve politike në nivel lokal, mirëpo do të hyjnë në lojë shumë më shumë ajo çka e preokupon qytetarin duke e ndeshur këtu pastaj edhe ndikimin ose subjekti i cili e ka frymën ose pretendohet se mund ta marrë pushtetin edhe në qendër. Mirëpo zgjedhjet lokale në analizat zgjedhore asnjëherë nuk janë lidhë me zgjedhjet parlamentare në kuptimin që rezultatet nuk kanë lidhje direkte, mund të kenë indirekte por jo direkte në kuptimin e përcjelljes së asaj fryme”, theksoi Alija për lajmi.net.

Alija thotë se është shumë e sigurt që në vitin 2021 do t ë rrëzohen të gjitha bastionet e partive politike në komunat e caktuara pasi që sipas tij, do të jenë vetë qytetarët ata që do t’i ndëshkojnë partitë politike.

“Mirëpo pa dyshim që ajo çka mund të themi me siguri është që nuk do të ketë më bastione ose të paktën tendencat janë që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 të mos mund të shohim bastione, por shumë më shumë qytetari do ta vlerësojë punën e secilit kandidat që ka qenë në pushtet dhe pretendon ta marrë sërish pushtetin. Qytetari do t’i ndëshkojë ata që nuk kanë bërë gjë për ta. Këtë model për shembull e shohim te Komuna e Drenasit, vlejnë shumë këtu aspektet e punës ose paraqitjes së punës së tyre, pra vlerësimet që i marrin nga organizatat ndërkombëtare dhe lokale. Pra janë një sërë elementesh që ndikojnë mirëpo për ta rikapituluar gjithë këtë që e thashë, me gjasë të madhe bastione në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nuk do të kemi. Madje jam i bindur që do të ketë ndërrim të pushteteve në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, pra gjasat janë shumë të mëdha që këto komuna ta pësojnë një lloj tranzicioni të pushtetit. Mirëpo mbi të gjitha varet edhe momentumi se kur dhe në çfarë kohe politike bëhen thjeshtë si është momentumi politik në qendër që të prodhohen rezultate të tilla në zgjedhjet lokale të vitit 2021”, u shpreh Alija.

Në anën tjetër edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për lajmi.net, se zgjedhjet në Podujevë do t’i mobilizojnë edhe më shumë partitë e tjera politike.

Sipas tij, ndryshimi që ka ndodhur në Podujevë ka qenë për arsye të ndryshme, por që fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, duhet të shihet si “shkollë” për partitë e tjera.

“Ajo çka ka ndodhur në Podujevë edhe rezultati, fushata, pandemia, fakti që është që 21 vjet aty LDK-ja nuk janë karakteristika që i gjen gjetiu. Për shembull një karakteristikë që është vetëm në Podujevë dhe nuk është askund tjetër, është që kryetari i komunës është dërguar që të bëhet ministër dhe i ka lënë këta në lloç, llapjanët. Pra është një karakteristikë që nuk ndodhë tjetër kund. Tjetra, Lëvizja Vetëvendosje nuk mundet me e qet një Bulliq, i cili ka fituar poenë politik në përpjekjen e tij për demarkacionin e që ato poena mandej i ka konvertuar në fitore prej llapjanëve. Edhe kjo karakteristikë ka me mungua te tjerat. Kështu që kjo më shumë ka qenë një përleshje me këta dy kandidat me këto karakteristika në të vërtetë që s’mund të them se ka me qenë e njëjta që kanë me i humb bastionet e tjera apo që kjo është reflektim që na jep me kuptua që edhe tjetër kund do të humb kështu bastionet apo edhe tjetra kund do të fitojë me këtë përqindje Vetëvendosja. Fakti që në Podujevë u humb për shkak të kësaj, ka me pas mobilizim të PDK-së edhe të LDK-së që të mos dorëzohen nëpër komunat e tjera. Do me thënë kjo në njëfarë mënyre iu ka dhënë shkollë, me ju thënë që punoni tjetër kah, jepni zor me u angazhua tjetër kah sepse atëherë keni me humb si në Podujevë. Gjë që është ftesë prej partitë e tjera politike që atje humbën e mos me i humb tjerat”, u shpreh Abdullahu.

Theksojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës dhe në veri të Mitrovicës ishin mbajtur më 29 nëntor të këtij viti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gjatë së enjtes edhe ka treguar rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve dhe në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar komune me 18 mijë e 286 vota apo 51.9 për qind.

Ndërkaq Milan Radojeviq nga Lista Serbe është zgjedhur kryetar në veri të Mitrovicës me 7 mijë e 916 vota apo 89.5 për qind. /Lajmi.net/