Zeka për sindikatat: Janë organizata politike që bëjnë shantazh, janë të korruptuar

21:21 | 6 Dhjetor 2021

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka nxitur reagime të shumta pas deklaratës së tij kur u pyet për grevat që janë mbajtur nga disa sindikata sa i përket Ligjit për Paga.

Kurti kishte deklaruar se është mirë që edhe kryesitë e Sindikatave të ndryshojnë ashtu siç ka ndryshuar politika në vend.

Gazetari Milaim Zeka, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se e mbështet plotësisht qëndrimin e kryeministrit Kurti, duke thënë se të gjitha kryesitë e sindikatave në Kosovë janë të korruptuara.

“Sa i përket qëndrimit të kryeministrit në raport me kryesinë e sindikatave, unë e mbështes plotësisht kryeministrin e Kosovës. Jam i bindur, nuk po flas në ‘hava’, por në qoftë se ka diku kryesi tërësisht të korruptuar, janë kryesitë e Sindikatave të Kosovës. Shikoji ata njerëz, janë në krye të sindikatave që 20-30 vjet. Këta kanë bërë më shumë punë politike Sindikatat e Kosovës, se sa punë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ata nuk e dinë së pari se çfarë roli kanë”, ka thënë Zeka.

LEXO EDHE:

Paralajmërimi i fuqishëm i mjekëve për greva e protesta, i japin ultimatum Kurtit deri në këtë datë

Tutje, ai ka thënë se sindikatat nuk kanë pasur kurrë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Zeka ka theksuar se shpesh herë sindikatat kanë bërë marrëveshje me pushtetet e kaluara, andaj nuk i cilëson si “sindikata”.

“Sindikatat e Kosovës me konceptin perëndimor nuk janë sindikata, janë organizata politike që merren me politikë dhe me shantazhe”, ka deklaruar Zeka.

Kujtojmë se ndaj deklaratave të Kurtit kanë reaguar deri më tani kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla dhe kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi.

Ata kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të mos tentojë të politizojë apo të ndikojë në kryesitë e sindikatave, ndërsa kanë cilësuar deklaratat e kryeministrit si përqarëse. /Lajmi.net/

LEXO EDHE: 

Jasharaj: S’na hidhëron deklarata e Kurtit, urojmë ta ketë thënë kalimthi