Zëdhënësja e Speciales tregon kur ndodh aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, gjatë informimit javor për media ka bërë të ditur se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhet aktualisht në një fazë të rëndësishme. Sipas saj, Trupi Gjykues në këtë çështje ka hyrë në fazën e vendimeve, ku po shqyrtohen provat…
Lajme
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, gjatë informimit javor për media ka bërë të ditur se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhet aktualisht në një fazë të rëndësishme.
Sipas saj, Trupi Gjykues në këtë çështje ka hyrë në fazën e vendimeve, ku po shqyrtohen provat dhe argumentet përfundimtare përpara marrjes së vendimit përfundimtar.
Ajo theksoi se kohëzgjatja për nxjerrjen e aktgjykimit ndryshon nga rasti në rast dhe varet nga kompleksiteti i çështjes.
Griep bëri të ditur se, bazuar në rregullat në fuqi, Trupi Gjykues ka në dispozicion një afat prej 90 ditësh për të arritur një verdikt.
Megjithatë, ajo sqaroi se ky afat nuk është i prerë, pasi në rrethana të caktuara gjykatësit mund të vendosin ta zgjasin periudhën e kuvendimeve nëse konsiderojnë se nevojitet më shumë kohë për një vendim të drejtë dhe të argumentuar.
Ajo shtoi se aktualisht nuk ka një datë të caktuar për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast, por theksoi se publiku do të informohet menjëherë sapo gjykatësit të vendosin për një afat konkret.
Duke iu referuar Rregullores së Procedurës dhe të Provave, konkretisht rregullës 159, Griep nënvizoi se Trupi Gjykues nuk është i detyruar të kërkojë zgjatje formale të afatit.
Megjithatë, nëse vendos të zgjasë procesin e vendimmarrjes, ai duhet të paraqesë një vendim të arsyetuar për këtë hap.
Në fund, ajo theksoi se rregullorja në fuqi nuk përcakton një afat të saktë kohor për publikimin e këtij vendimi, duke lënë kështu hapësirë që procesi të zgjasë në varësi të zhvillimeve dhe kompleksitetit të çështjes.