Rezoluta në Kongresin Amerikan, Haxhiu e Haradinaj mirëpresin nismën për Kosovën në NATO

Kongresmeni Keith Self, së bashku me kongresmenët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Kjo, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të kongresmenit Keith Self, synon të theksojë rëndësinë strategjike…

Lajme

01/05/2026 11:38

Kongresmeni Keith Self, së bashku me kongresmenët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Kjo, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të kongresmenit Keith Self, synon të theksojë rëndësinë strategjike të këtij procesi.

Ndwrkohw, sot ka reaguar edhe ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e mirëpres prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Në rezolutë thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike paraqesin një rast të fortë për anëtarësim në NATO. Po ashtu, theksohet se, sipas njoftimit, në kushtet kur aktorë armiqësorë vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, anëtarësimi i Kosovës në aleancë do të shërbente si kundërpeshë për të dekurajuar këto veprime dhe për të parandaluar përshkallëzime të reja në Ballkan.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të NATO-s. Megjithatë, sipas të njëjtit njoftim të publikuar në faqen e kongresmenit Keith Self, mungesa e njohjes unanime brenda Aleancës mbetet pengesë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit.

Në dokument theksohet se katër vende anëtare të NATO-s—Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja—nuk e kanë njohur ende Kosovën. Duke qenë se NATO funksionon me konsensus, kjo situatë paraqet pengesë për përfshirjen e Kosovës në mekanizmat e anëtarësimit, përfshirë Partneritetin për Paqe dhe Planin e Veprimit për Anëtarësim.

Rezoluta u bën thirrje këtyre vendeve që të rishikojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është e domosdoshme për avancimin e saj drejt NATO-s dhe për mbylljen e një boshllëku strategjik në Evropën Juglindore.

Në njoftimin e publikuar në faqen e kongresmenit Keith Self, ai citohet të ketë deklaruar se “Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit me vendet e NATO-s, por përparimi i saj po pengohet nga mungesa e njohjes nga disa aleatë”. Po ashtu, ai shton se “Shtimi i Kosovës në aleancë është i rëndësishëm për përballimin e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë”.

Në të njëjtin njoftim theksohet se integrimi i Kosovës në NATO është i rëndësishëm për interesat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kongresmenët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për paraqitjen e një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet integrimin e Kosovës në NATO.