Weber: Nëse Grenell tenton të shtyjë përpara idenë për shkëmbim të territoreve, e ka BE-në kundër

Eksperti gjerman Bodo Weber, përveç problemeve të brendshme me të cilët po përballet BE-ja, dhe mos anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ka folur edhe rreth dialogut Kosovë Serbi, dhe mundësisë së kthimit të idesë së korrigjimit të kufijve.

Lajme

26/10/2019 08:01

Bodo Weber ka folur rreth asaj nëse Gjermania do të mbetet e vetme si fuqi në Evropë kundër idesë së korrigjimit të kufijve marrë parasysh mospajtimet aktuale me Francën e cila asnjëherë nuk ka shfaqur një qëndrim përfundimtar për kufijtë, dhe momentumit të krijuar me caktimin e Përfaqësuesit Special të Trumpit, Richard Grenell, për të cilin thuhet se do të provojë të shtyjë përpara idenë e korrigjimit të kufijve.

Weber thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodh, meqenëse një shumicë e madhe e shteteve të BE-së në një periudhë për më shumë se një vit, janë kundër idesë së rrezikshme të shkëmbimit të territoreve.

“Presidenti Makron më 20 Prill në Samitin e Berlinit e ka kuptuar përfundimisht se për çfarë bëhet fjalë, dhe ka folur kundër ‘zgjidhjeve’ etnike-territoriale. Dhe për afro një muaj ne do të kemi një Përfaqësues të Lartë, Borell, i cili është fuqishëm kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Edhe nëse Grenell seriozisht tenton të shtyjë përpara një ide për shkëmbim të territoreve, SHBA- vetëm, kundër gjithë BE-së, nuk do të jenë në gjendje që të realizojnë me sukës një ide të tillë të rrezikshme”, ka përfunduar Bodo Weber për Express.