Vritet një polic i EULEX’it

Sulmi ka ndodhur sot rreth orës 7 të mëngjesit. Persona të panjohur kanë shtënë në automjetin e këtij misioni në territorin e Banjskës, në Veri të Kosovës. Raportohet se janë plagosur edhe dy persona të tjerë. EULEX dënon sulmin.

Lajme

19/09/2013 08:25

(E Plotësuar)

EULEX ka konfirmuar sulmin, me anë të një komunikate.

“Sot në mëngjes, rreth orës 0730, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit”.

“Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.  Task Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.  Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”.

Audrius Senavicius, polici i EULEX’it, i vrarë në Veri.

“EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt qyqar të dhunës kundër pjesëtarit të tij. Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556”, thuhet në komunikatën e EULEX’it.

EULEX i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit.

Një polic i EULEX’it është vrarë në mëngjesin e sotëm, kur persona të panjohur kanë shtënë në automjetin e këtij misioni në territorin e Banjskës, në Veri të Kosovës, raporton Blic.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 7 të mëngjesit. Sipas informative jozyrtare, polici i vrarë po voziste një xhip, ndërsa në veturë gjendeshin doganierët dhe një përkthyes.

Raportohet se janë plagosur dy persona tjerë të cilëve u është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Mitrovicës.

Ndaj automjetit janë shtënë rafale. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë KFOR’i dhe njësitet speciale të EULEX’it.

Janë gjetur edhe gëzhoja të cilat janë lënë mbrapa nga sulmuesit.