Vonesat fatale historike

Udhëheqësia e Serbisë është me siguri një hap të madh para në krahasim me atë të Kosovës, në komunikimin me zhvillimet kryesore në Evropë dhe në Botë.

Opinion

23/05/2019 09:48

Shqiptarët ishin populli i fundit në Ballkan që morën vesh që i kishte ardhë fundi Perandorisë Osmane. Kjo vonesë do të tregohet fatale për ta. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912-të, do të bëhej me përkrahjen e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, por Serbia, në anën tjetër, shumë më e organizuar politikisht, më e fuqishme ushtarakisht, dhe më e përkrahur në Perëndim, do të arrinte ta marrë për vete gati gjysmën e territoreve të banuara me shumicën shqiptare.

Vonesa e këtillë historike, mosgjeturia politike dhe diplomatike, deficiti në fuqinë ushtarake, shkaktuan realitetin e hidhur për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, për gati një shekull.

Serbët ishin populli i fudit në Ballkan që kuptuan që Lufta e Ftohtë kishte përfunduar, që Komunizmi dështoi dhe që Bashkimi Sovjetik po shkatërrohej.

Kjo vonesë do të kishte pasoja të rënda për ta, pos tjerash, sepse ajo do të synohej të kompenzohej me një supremaci evidente ushtarake  (karshi të gjithë popujve dhe njësive federale të ish-RSFJ-së), me instalimin e luftës së model të zgjidhjes së kontesteve politike dhe historike, pa siguruar mbështetjen e kryeqendrave perëndimore.

Teksa në fillim të Shekullit XX, Amerika nuk ishte e pranishme fare këndejpari dhe as në Evropë, në fund të këtij Shekulli situata ishte krejt tjetëfare: SHBA-ja ishin faktori dhe fuqia kryesore politike dhe ushtarake në Evropë.

Për dallim prej popullit serb, shqiptarët e Kosovës mbase ishin të parët (në atë shtetin e përbashkët) që morën vesh që Komunizmi po bie dhe që bashkë me te, edhe Jugosllavia do të merrte fund. Përvoja e tyre e hidhur e viteve të tetëdhjeta i mësoi t’i rrinë shumë më pranë realitetit se të gjithë popujtë e tjerë. Për këtë shkak, ata u organizuan, për ato rrethana, në mënyrën më të mirë të mundshme, përqafuan vlerat politike të Perëndimit, ofruan miqësi dhe bashkëpunim SHBA-së dhe shteteve të Perëndimit. Pa këtë model politik të mendimit dhe të veprimit, nuk do të mbërrinim kurrë në pranverën e vitit 1999-të, kur Aleanca Veri-Atlantike do ta përdorte forcën më të madhe ushtarake në Botë, në mbrojtje dhe përkrahje të shqiptarëve. Krimet e mëdha të pushtetit serb në Kosovë, nuk do të mjaftonin për këtë ndërhyrje ushtarake. Momenti kyç në këtë aspekt pra ka qenë orientimi jonë i drejtë, i qartë, i palëkundur, kah Perëndimi, kah SHBA-ja dhe Evropa.

Në rrethanat aktuale, të vitit 2019, udhëheqësia e Serbisë është me siguri një hap të madh para në krahasim me atë të Kosovës, nga ky pikëshikimi i komunikimit me tendencat apo zhvillimet kryesore në Evropë dhe në Botë.

Pastaj, objektivisht, Beogradi zyrtar ka gjithsesi një përparësi evidente karshi Prishtinës zyrtare në këtë aspekt. Lidershipi serb, ka hapësirë më të madhe manovrimi se sa ai shqiptar i Kosovës. Ai ta zëmë mund të ketë relacione të ngushta dhe miqësore me Moskën zyrtare, mund të ketë poashtu marrëdhënie shumë të mira politike dhe ekonomike me Kinën, dhe njëkohësisht të jetë i afërt me BE-në dhe me SHBA-në. Diçka e tillë nuk mund të imagjinohet dot në rastin e autoriteteve më të larta të Kosovës, sepse këndejpari as nuk duam dhe as nuk mundemi të bëjnë ‘aventura’ të rrezikshme të këtij lloji. Orientimi i jonë si Kosovë është i përcaktuar një herë dhe përgjithmonë. Ne duam të bëhemi pjesë e BE-së dhe e Paktit NATO.

Sidoqoftë, lidershipi serb, e ka kuptuar fare qartë që BE-ja ka pësuar një tronditje të madhe të brendshme, që SHBA-ja poashtu është në vlugun e kërkimit të vetëvetes, që Perëndimi i sotëm është larg atij që ka qenë në vitet e luftës dhe të bërjes së pavarësisë së Kosovës, dhe që më nuk ka skemë të qartë bardh dhe zi, në relacionet e Washingtonit dhe Brukselit me Serbinë, Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi.

Këto informata themelore  (që janë të sakta, të qëndrueshme), i shërbejnë pastaj Beogradit zyrtar për ta ndërtuar pozicionin e tij për bisedimet me Prishtinën për arritjen e Marrëveshjes eventuale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në rastin e udhëheqësisë së Kosovës, ka mungesë të vazhdueshme të vullnetit politik për të kuptuar që Perëndimi i tashëm, nuk ka pothuaj gjë të përbashkët me atë që ka hisen evidente në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Kjo mungesë mund të ketë pasoja të rënda për fatin e bisedimeve me Serbinë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)