Vetëvendosje i drejtohet Kushtetueses për procedurën e zgjedhjes së Presidentit, kërkon pezullimin e afatit kushtetues (DOKUMENT)
Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme që do të pezullonte afatin kushtetues deri në publikimin e aktgjykimit. Kërkesa është konfirmuar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila…
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme që do të pezullonte afatin kushtetues deri në publikimin e aktgjykimit.
Kërkesa është konfirmuar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se për këtë hap është njoftuar edhe presidentja Vjosa Osmani, transmeton lajmi.net.
Sipas kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është kërkuar që të shqyrtohet nëse procedura aktuale për zgjedhjen e presidentit është në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se ekziston rreziku i dëmeve të pariparueshme për demokracinë dhe stabilitetin institucional në Kosovë nëse afatet kushtetuese vazhdojnë pa një interpretim të qartë ligjor.

Në dokument theksohet se bllokadat në procesin e votimit mund të pengojnë arritjen e kuorumit të nevojshëm në Kuvend, gjë që mund të çojë në pasoja të rënda institucionale, përfshirë edhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.
Në kërkesë, ndër të tjera, propozohet që Gjykata Kushtetuese:
-
të shpallë kërkesën të pranueshme;
-
të vendosë masë të përkohshme duke pezulluar afatin për zgjedhjen e Presidentit deri në nxjerrjen e aktgjykimit;
-
të konstatojë shkelje kushtetuese nga deputetët që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit;
-
të sqarojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votim, qoftë duke votuar pro, kundër apo duke abstenuar, në mënyrë që të sigurohet kuorumi i nevojshëm;
-
të përcaktojë rikthimin dhe fillimin e ri të afatit për zgjedhjen e Presidentit pas vendimit të Gjykatës;
-
të urdhërojë publikimin e aktgjykimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyrjen e tij në fuqi menjëherë.
Sipas argumenteve të paraqitura në kërkesë, vendosja e një mase të përkohshme është e domosdoshme për të shmangur krizën institucionale dhe për të garantuar funksionimin normal të institucioneve deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese./lajmi.net/