Vetëvendosje “dorëzohet” ende pa nisur seanca pasi s’ka vota për Haxhiun – kërkohet marrëveshje politike
Sot është hera e katër me radhë që në Kuvendin e Kosovës tentohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë arritur as sot të përmbushin konstituimin e Kuvendit. Anipse njëzëri u deklaruan se Albulena Haxhiu do të jetë edhe sot e propozuar për kryekuvendare- në fakt Lëvizja…

Lajme
Sot është hera e katër me radhë që në Kuvendin e Kosovës tentohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë arritur as sot të përmbushin konstituimin e Kuvendit.
Anipse njëzëri u deklaruan se Albulena Haxhiu do të jetë edhe sot e propozuar për kryekuvendare- në fakt Lëvizja Vetëvendosje e bëri tashmë publike faktin se nuk i kanë numrat për të zgjedhur atë si kryeparlamentare.
Pasi u vonuan prej më shumë se gjysmë ore në sallën plenare, deputetët e VV-së bashkë me liderin e tyre Albin Kurti arritën në sallë në të njëjtën kohë me kreun e Nismas Socialdemokrate Fatmir Limaj.
Por pavarësisht takimeve dhe diskutimet që kanë së bashku- duket se tre deputetët e Nismas nuk ia kanë siguruar votën Haxhiut.
Me të nisur seanca konstituive, kryesuesi i kësaj seance Avni Dehari njoftoi se në sallën plenare të pranishëm janë 117 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast ai ftoi nënkryetarin e VV-së, Glauk Konjufca që të propozoi emrin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit.
Konjufca me këtë rast deklaroi se emri i propozuar sërish nga Vetëvendosje është Albulena Haxhiu, por se nga partitë opozitare veçse kanë bërë të ditur se s’do e votojnë, duke kërkuar kështu që të shtyhet seanca sërish.
Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetrarit të Kuvendit.
“Mendoj se kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike, ashtu siç votohen nënkryetarët ashtu do të duhej të votohej edhe kryetari i Kuvendit”, deklaroi Konjufca i cili tha se nga partitë opozitare tashmë kanë deklaruar se janë kundër emrit të Haxhiut.
“Kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që patëm tri herë radhazi në Kuvendni e Kosovës”
Kryesuesi i seancës, Dehari njoftoi më pas se do të mblidhen sërish në Kuvend të mërkurën duke nisur nga ora 10:00.
Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje do të bëjë ndonjë “lëvizje” tjetër për të siguruar votat pasi tani për tani Haxhiu mbetet me vetëm 57 vota për që mori seancat e kaluara e që ishin të pamjaftueshme.
Nga PDK, LDK dhe AAK kanë vazhduar të deklarohen kundër propozimit të Haxhiut derisa nga Nisma në votimin e kaluar kanë abstenuar.
Siç duket “pazaret” e pozitave janë duke vazhduar teksa mbetet të shihet se si do të arrihet deri tek konstitumi i Kuvendit e më pas të vazhdohet me lëvizjet në kuadër të formimit të Qeverisë së Kosovës./Lajmi.net/