Vdekjet e punëtorëve në KEK, Hotit i pengojnë reagimet: Tragjedi të tilla nuk duhet të keqpërdoren nga eksponentë politikë
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas debatit politik për aksidentet tragjike në KEK, duke kërkuar që përgjegjësit të përcaktohen përmes hetimeve dhe bazuar në kompetencat ligjore. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën së fundmi, si…
Lajme
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas debatit politik për aksidentet tragjike në KEK, duke kërkuar që përgjegjësit të përcaktohen përmes hetimeve dhe bazuar në kompetencat ligjore.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën së fundmi, si dhe për familjet e tjera që kanë përjetuar humbje të ngjashme në vendin e punës, transmeton lajmi.net.
Ai ka kritikuar përpjekjet për t’i shndërruar rastet tragjike në përplasje politike, duke theksuar se çdo akuzë ndaj institucioneve duhet të mbështetet në fakte dhe në rezultatet e hetimeve.
“Në asnjë rrethanë, tragjedi të tilla nuk duhet të keqpërdoren nga eksponentë politikë si mjet sulmi ndaj njëri-tjetrit”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, është shqetësuese që akuza të tilla bëhen edhe nga deputetë të Kuvendit, të cilët, në cilësinë e ligjvënësve, duhet t’i njohin përgjegjësitë dhe kompetencat e institucioneve të përcaktuara me ligj.
Hoti ka sqaruar se aksidentet fatale të 8 korrikut, 16 gushtit dhe 20 gushtit 2026 kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, pjesë e veprimtarisë minerare.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për mbikëqyrjen e sigurisë në punë dhe hetimin e aksidenteve në sektorin minerar i takon Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), e jo Inspektoratit Qendror të Punës.
“Këtë nuk po e them për ta zhvendosur përgjegjësinë nga një institucion te tjetri dhe as për t’i ikur përgjegjësisë. Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj”, ka deklaruar ai.
Sa i përket rastit të fundit, Hoti ka thënë se Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit, duke dërguar inspektorët në vendin e ngjarjes.
Nga inspektimi, sipas tij, është vërtetuar se aksidenti kishte ndodhur brenda territorit të një miniere të licencuar nga KPMM-ja, ndaj edhe trajtimi i rastit është në kompetencë të Inspektoratit të Minierave.
Ministri në detyrë ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Punës po punon në forcimin e kontrolleve për sigurinë në vendet e punës. Ai ka theksuar se gjatë katër muajve të fundit janë shtuar inspektimet, veçanërisht në sektorët që konsiderohen me rrezik të lartë.
“Vetëm në katër muaj, kemi ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte”, ka bërë të ditur Hoti.
Në fund, Hoti ka kërkuar që institucionet kompetente t’i përfundojnë hetimet dhe të ndërmarrin masa ndaj çdo rasti të neglizhencës apo shkeljes së rregullave të sigurisë.
“Në një ditë kur një familje ka humbur njeriun e saj, minimumi që mund të kërkohet nga secili prej nesh është përgjegjësi edhe në fjalën publike. Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, ka përfunduar ai./lajmi.net/