Vazhdon misioni i Holandës

Arjen Robben thotë se Holanda është në rrugën e duhur për ta fituar Botërorin në Brazil, pasi dështoi ta bënte një gjë të tillë në Botërorin e kaluar.

Sport

02/07/2014 22:46

Arjen Robben thotë se Holanda është në mision për ta fituar Botërorin, për herë të parë në histori të këtij vendi.

Tulipanët pësuan humbje në finale të Botërorit të kaluar nga Spanja, por iu hakmorën asaj në fazën e grupeve në Brazil, duke e përcjellë me një pesëshe.

Tash, Robben me shokë janë të vendosur më shumë se kurrë për të triumfuar në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit.

“Mendoj se jemi në një mision së bashku dhe kur vini në Botëror, nuk është vetëm ta shijosh kohën dhe plazhin e Rios”, deklaroi fillimisht futbollisti i Bayern Munichut për FIFA.com.

“Ne jemi këtu për të fituar ndeshje dhe të shkojmë sa më larg që mundemi. Nuk mendoj se pritjet ishin aq të mëdha para turneut, por tash, ne mund të jemi mjaft krenarë për atë se ku jemi”, vazhdoi ai.

Robben e ka lavdëruar edhe trajnerin Louis van Gaal, të cilin e konsideron fantastik dhe se ua interpreton saktë lojtarëve atë që do dhe atë që duhet ta bëjnë në fushë.