Valdete Daka votoi e para

Valdete Daka e hapi Qendrën e Votimit në Fakultetin Teknik, duke votuar vetë e para. Ajo u shpreh se shpreson që zgjedhjet të kalojnë në qetësi.

Lajme

03/11/2013 07:47

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka votuar e para në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Votimi i saj ka shënuar edhe simbolikisht hapjen e qendrave të votimit në Kosovë për zgjedhjet lokale.

Pasi ka votuar, Daka është shprehur se shpreson që zgjedhjet të kalojnë në qetësi.

Sipas saj, rëndësia e këtyre zgjedhjeve bëhet edhe më e madhe pasi që këto janë të parat që mbahen në tërë territorin e Kosovës.

“Është një ditë e mbarë për Kosovën. Qendra e Votimit është hapur. Unë votova. Shpresoj se me këtë votën time do të fitojë më i miri”.

“Shpresoj që të gjithë qytetarët e Kosovës do të dalin në votime dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

“Dëshiroj një ditë të mbarë dhe le të fitojë Kosova”.

“Besojmë se çdo gjë do të shkojë në rregull”.

Ajo ka thënë se pret që rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve të bëhen të ditura më shpejt se gjatë zgjedhjeve të kaluara.

“Duke përdorur informatat të cilat vijnë në mënyrë elektronike, shpresojmë se do t’i kemi rezultatet së paku dy apo tri orë pas mbylljes së vendvotimeve”.