Ujkani lë Italinë, nënshkruan në Superligën turke
Gjatë këtyre 11 viteve në Itali, Ujkani ka mbajtur veshur fanellat e 7-të skuadrave të ndryshme.
Sport
Pas plot 11 vitesh Samir Ujkani do të lërë Italinë për t’u transferuar në Superligën turke.
Në orët e ardhshme portieri dhe njëkohësisht kapiteni i përfaqësueses së Kosovës do të firmosë për skuadrën e sapongjitur në elitën e futbollit turk Çaykur Rizespor.
Në moshën 30-vjeçare Samir Ujkani do të nisë një aventurë të re në karrierën e tij. Tashmë ish portieri i kombëtares shqiptare ka përvojën e mjaftueshme për të lënë përfundimisht Serinë B italiane dhe për të luajtur në një ligë të nivelit më të lartë, siç është kampionati turk.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Rizespor ka blerë kartonin e Ujkanit nga Cremonese dhe portieri i Kosovës do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me klubin turk ndërsa në orët e ardhshme do të prezantohet zyrtarisht.
Gjatë këtyre 11 viteve në Itali, Ujkani ka mbajtur veshur fanellat e 7-të skuadrave të ndryshme, duke filluar nga Palermo për të vazhduar me Novarën, Chievon, Genoan, Latinën, Pisan dhe sëfundmi Cremonesen, transmeton “SS”.
Ndërkohë Rizespor interesohet edhe për sulmuesin e përfaqësues kuqezi Armando Sadiku i cili nëse vendos të transferohet në qytetin e Rizes do të jetë shok skuadre me Ujkanin.