Trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes, 16 raste regjistrohen në ORL

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2025 dhe 2026 janë evidentuar 26 raste të largimit të trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes. Sipas të dhënave të Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL-së) dhe Klinikës së Pulmologjisë, në vitin 2025 janë regjistruar 10 raste të ngulfatjes, ndërsa në vitin 2026, deri në përditësimin e evidencave,…

Lajme

01/11/2026 15:52

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2025 dhe 2026 janë evidentuar 26 raste të largimit të trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes.

Sipas të dhënave të Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL-së) dhe Klinikës së Pulmologjisë, në vitin 2025 janë regjistruar 10 raste të ngulfatjes, ndërsa në vitin 2026, deri në përditësimin e evidencave, janë evidentuar 16 raste.

Në mesin e trupave të huaj janë gjetur kryesisht pjesë të kikirikut, lajthi, fara, si dhe materiale të tjera. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve u përket fëmijëve të vegjël, veçanërisht moshës parashkollore.

Pulmologu, Besim Morina thotë se aspirimi i trupave të huaj në rrugët e frymëmarrjes është problem me të cilin përballen mjekët në disa fusha, ndërsa në raste të rralla mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda.

Megjithatë, thotë se trupat e huaj nga rrugët e frymarrjes shumicën e rasteve tërhiqen dhe nuk ka përfundim fatal.

Por Morina tregon se në disa raste pacientët nuk janë të vetëdijshëm se kanë aspiruar një trup të huaj. Sipas tij, simptomat mund të shfaqen edhe pas një periudhe të gjatë, duke bërë që problemi të zbulohet vetëm pas ekzaminimeve të mëtejshme.

“Jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm për një trup të huaj të aspiruar, kemi pas raste kur njerëzit kanë aspiruar një trup të huaj dhe pas një kohe, pas ekzaminimeve të ndryshme, bronkoskopisë, endoskopisë, është vërejtur një trup i huaj që është aspiruar para një kohe të gjatë, në ato raste kemi kollë rezistente dhe ngacmuese, një kollë që nuk tërhiqet, pastaj kane dhe nje fishkëllime gjoksi.”

Sipas pulmologut, qëndrimi i gjatë i trupit të huaj në rrugët e frymëmarrjes mund të shkaktojë komplikime kronike dhe dëmtime të mëtejshme.

“Shumica e trupave të huaj, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë, mund të shkaktojnë probleme, si pleumoni kronike, qelbëzim dhe ndryshim në rrugët e frymëmarrjes ashtu që rrugët e frymemarrjes të ngushtohen ose të hipnotizohen dhe këtu mund të japin pasoja dhe me afatgjata.”

Morina veçon fëmijët e vegjël dhe të moshuarit si grupmosha që kërkojnë kujdes të veçantë për shkak të rrezikut më të madh nga aspirimi i trupave të huaj.

“Sidomos te fëmijët e vegjël duhet të kemi veçanërisht kujdes dhe te moshat e vjetra, sepse tani dhe në vendin tone preken dhe nga sëmundje të tjera si neurodegjenerative, Alzheimeri, skleroza, dhe këto ndikojnë që të moshuarit të mos jenë mjaftueshem të vetëdijshëm.”

Nga Kryqi i Kuq, Armend Shala shpjegon se në rast të ngulfatjes, reagimi i parë duhet të jetë ruajtja e qetësisë dhe vlerësimi i gjendjes së personit. Ai thekson se veprimet e duhura varen nga shkalla e ngulfatjes dhe gjendja e personit.

“Hapi i parë që duhet të bëjmë është të mos kemi panik, sado që panikohemi nuk i ndihmojmë as personit në fjalë, as vetes. Dallojnë tre ngulfatje: e pjesërishme me vetëdije, kur personi veçse mundet me kërku ndihmë, “jep pak ujë” ose diçka tjetër që nuk preferojmë me i jep ujë se mundet me u blloku dhe me shume, kur personi nuk mund të kërkojë ndihmë dhe nga instinkti vendos duart te fyti, ku bllokohet frymëmarrja komplet dhe kur personin e kemi pa vetëdije.”

Shala tregon edhe hapat që duhet të ndiqen kur personi është i vetëdijshëm dhe nuk mund të marrë frymë për shkak të ngulfatjes.

“Kur personi është me vetëdije, kërkojmë me u ngritë në këmbë dhe dorën tone e vendosim në gjoksin e personit dhe e përkulim pak trupin e tij dhe bëjmë goditje të rrëshqitshme mes dy krahëve të personit, duke pas kujdes mos me godite Kokën e personit, fillimisht bëjmë 5 goditje. Nëse pas 5 goditjeve prapë e kemi personin e ngulfatur, veprojmë me metodën e Helnikut. Dalim në pjesën e prapme fillimisht këmbën tone e vendosim mes këmbeve te tij dhe te pjesa e barkut mbi kërthizë e vendosim boksin tonë dhe me dorën tjetër kapim personin, Kokën e mbajmë anash sepse ne momentin e pare qe bëjmë shtypje ne bark personi mund te na godas me koke, përkulim personin dhe fillojmë me 5 shtypje në drejtimin e fytit, në mënyrë që të ngremë diafragmën, dhe te lirojmë rrugët e frymëmarrjes.”

Në rastet kur personi humb vetëdijen, Shala shpjegon mënyrën se si duhet të veprohet, duke përfshirë edhe rastet e veçanta te gratë shtatzëna.

“Në rastet e ngulfatjes ku një person ka rënë pa vetëdije në tokë, e shtrijmë personin në tokë, kokën e kthejmë në njërën anë, shikojmë a ka ndonjë gjë në gojë, nëse ka, me gishtin tregues e largojmë dhe ulemi në këmbët e tij, dy gishta përmbi kërthizë bëjmë shtypje jo direkte, por nga pjesa poshtë-lart. Te shtatzënat ne nuk guxojmë të bëjmë shtypje në bark, por te pjesa e bashkimit të brinjëve, me gishtin e madh e bëjmë shtypjen abdominale në drejtim të fytit, dhe kjo nxite vjelljen”- demonstron Shala.

“Foshnja qoftë në tokë, qoftë në tavolinë, shikojmë a ka diçka në gojë, nëse po e largojmë me gishtin e vogël, pastaj dy gishta në formë të shkronjës U i vendosim në pjesën e nofullës dhe tre gishta në pjesën e krahut, dorën tjetër e vendosim poshtë trupit të foshnjës dhe e ngremë lart, dhe në mes të dy krahëve të foshnjës godasim lehtë 5 herë. Nëse prapë nuk ka reagim, e kthejmë foshnjën në dorën tjetër dhe përmbi kërthizë, në formë të rrëshqitshme, me 2 gishta bëjmë lëvizje drejt fytit 5 herë.”

Përveç ndërhyrjes në rastet e ngulfatjes, rëndësi ka edhe parandalimi i kësaj dukurie. Nutricionistja Urata Rexhepi thotë se disa ushqime paraqesin rrezik më të madh, sidomos për fëmijët dhe grupet e tjera të ndjeshme.

“Ka disa lloje të ushqimeve që munden me qenë më të rrezikshme, sidomos te moshat që janë më të ndjeshme, për shembull janë arrat, farat, rrushi, kokoshkat, ushqimet në përmasa më të mëdha që nuk janë të copëtuara sa duhet, ushqimet e rrumbullakta dhe ato ngjitëse.”

Sipas saj, mënyra se si konsumohet ushqimi është po aq e rëndësishme sa vetë përzgjedhja e ushqimeve, ndaj rekomandohet të hahet ngadalë dhe ulur.

“Gjithmonë ushqyeshmëria e mirë lidhet se me çka po konsumojmë, por ka me u lidhë dhe se si po i konsumojmë ushqimet. Për shembull, në shumicën e rasteve ushqimin që e konsumojmë e kemi për ngut, nuk mundemi me u ulë dhe me shiju ushqimin dhe me konsumu ushqimin ngadalë, e cila është forma ma e mirë me konsumu ushqimin. Ose dhe që konsumojnë ushqimet e shpejta, në momentin që ti je në këmbë dhe e konsumon ushqimin në atë formë, trupi ka me qenë në atë fazën alarmuese dhe ka me qenë në formë stresi.”

Kur bëhet fjalë për fëmijët, ajo thotë se duhet krijuar një raport i shëndoshë me ushqimin dhe procesi i të ushqyerit të bëhet sa më i përshtatshëm për ta.

Të dhënat dhe paralajmërimet e profesionistëve tregojnë se një moment i pakujdesshëm gjatë ushqyerjes mund të kthehet në emergjencë serioze. Për këtë arsye, kujdesi në përzgjedhjen dhe përgatitjen e ushqimit, si dhe reagimi i duhur në rast të ngulfatjes, mund të jenë vendimtarë për të shmangur pasoja të rënda.