Trump: S’ka zgjidhje tjetër – dëbim masiv për imigrantët ilegalë
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se kostoja e dëbimit të imigrantëve ilegalë nuk do të jetë pengesë për ta mbajtur premtimin për “dëbimin më të madh ndonjëherë”. Në paraqitjen e parë publike që nga fitorja e 5 nëntorit, Trumpi ka thënë se prioritet i tij sapo ta marrë detyrën në janar do…
Bota
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se kostoja e dëbimit të imigrantëve ilegalë nuk do të jetë pengesë për ta mbajtur premtimin për “dëbimin më të madh ndonjëherë”.
Në paraqitjen e parë publike që nga fitorja e 5 nëntorit, Trumpi ka thënë se prioritet i tij sapo ta marrë detyrën në janar do të jetë t’i bëjë kufijtë “më të fortë”.
“Nuk është çështje çmimi. Nuk është. S’kemi opsion tjetër”, ka thënë Trumpi për “NBC News”. “Kur njerëzit vritnin, narkodilerët shkatërronin shtete dhe tani do të kthehen në ato shtete sepse s’do të rrinë më këtu, nuk ka çmim për këtë”.
Trumpi ia ka dhënë meritat fitores së tij edhe për shkak të premtimit për dëbim të imigrantëve.
“Njerëzit duan të kemi kufij. Dhe atyre u pëlqen të kemi njerëz që vijnë, por duhet të vijnë me dashuri për shtetin. Duhet të vijnë në mënyrë të ligjshme”, ka deklaruar Trumpi.
Teksa ekipi i fushatës së Trumpit jepte përgjigje të ndryshme për shifrat e dëbimit, zëvendëspresidenti i zgjedhur JD Vance pati deklaruar se do të nisin me një milion.
Ekspertët kanë vlerësuar në vazhdimësi se do të ketë sfida ligjore e praktike për dëbim të shumë njerëzve përnjëherësh.