Rutte i NATO-s paralajmëron: Veprimet vetëm sa forcojnë vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, tha se sulmet e Rusisë në Ukrainë po japin efekt të kundërt te NATO, duke e përforcuar vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën. Ai tha se Rusia po pëson humbje të mëdha në luftën në Ukrainë, por se nuk ka asnjë gatishmëri nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin,…

Bota

10/09/2026 16:54

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, tha se sulmet e Rusisë në Ukrainë po japin efekt të kundërt te NATO, duke e përforcuar vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën.

Ai tha se Rusia po pëson humbje të mëdha në luftën në Ukrainë, por se nuk ka asnjë gatishmëri nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, për të ndalë luftën.

Në fjalimin e tij, Rutte tha:

“Sulmet brutale të Rusisë kundër Ukrainës nuk kanë të ndalur. Rusia po pëson humbje të jashtëzakonshme, të cilat tani vlerësohen në më shumë se 40 mijë të vrarë ose të plagosur rëndë çdo muaj. Mendoni për këtë për një moment. Mbi 40 mijë çdo muaj.

Pavarësisht këtyre humbjeve të mëdha, Putini nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës.

Përkundrazi, Rusia godet vazhdimisht Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës, shpesh duke vënë në shënjestër civilët dhe infrastrukturën civile, ndërsa në të njëjtën kohë lista e aktiviteteve keqdashëse hibride të Rusisë në mbarë Europën po zgjatet gjithnjë e më shumë: sulme kibernetike, sabotime, zjarrvënie, shkelje të hapësirës ajrore, incidente me dronë.

Veprimet më të fundit armiqësore të Rusisë janë të pamatura, të rrezikshme dhe përbëjnë kërcënim për jetën. Por ne nuk frikësohemi. E dimë se këto janë taktikat e një regjimi të dëshpëruar që nuk po arrin t’i përmbushë objektivat e tij në Ukrainë. Putini mendon se mund të na përçajë, të na destabilizojë dhe ta dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën. Por ai do të dështojë. Këto veprime keqdashëse po japin efektin e kundërt.”