Garë për 100 MW energji nga era në Kosovë, këta janë tre ofertuesit
Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave në kuadër të Ankandit të Parë të Erës, me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 megavat (MW). Në këtë proces kanë dorëzuar ofertat e tyre tre ofertues të kualifikuar nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Turqia. Ofertuesit janë Konsorciumi “Notus Energy GMBH” dhe “Stublla…
Lajme
Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave në kuadër të Ankandit të Parë të Erës, me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 megavat (MW).
Në këtë proces kanë dorëzuar ofertat e tyre tre ofertues të kualifikuar nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Turqia.
Ofertuesit janë Konsorciumi “Notus Energy GMBH” dhe “Stublla Energy LLC”, nga Gjermania dhe Kosova; “Akuo Energy SAS”, nga Franca; “GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik AS”, nga Turqia.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se pranimi i ofertave shënon përmbylljen e një etape të rëndësishme të procesit të parë konkurrues për kapacitete të energjisë nga era.
Ajo ka bërë të ditur se në javët në vijim do të bëhet vlerësimi i ofertave për të verifikuar përmbushjen e kërkesave ligjore, administrative dhe teknike.
Vetëm ofertat që përmbushin këto kritere do të kalojnë në fazën e vlerësimit financiar, ku fitues do të shpallet ofertuesi që ofron çmimin më të ulët.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, përmes këtij ankandi synohet mobilizimi i investimeve private, rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë dhe forcimi i sigurisë së furnizimit përmes diversifikimit të burimeve energjetike.
Ankandi është mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), si këshilltare e transaksionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.
Ministria ka njoftuar se vlerësimi do të zhvillohet në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara, duke respektuar parimet e konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të ofertuesve.