“Trump s’ka më kohë” – Veniten gjasat për një takim të dytë Kosovë-Serbi në Uashington

Bashkimi Evropian ka marrë tanimë rolin primar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dështimi i takimit të 27 qershorit në Uashington, ka ndikuar në uljen e angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe emisarit special të saj, Richard Grenell në procesin e dialogut. Ndonëse Grenell kishte paralajmëruar një datë të re për takimin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lajme

01/08/2020 21:56

Publikimi i aktakuzave të Speciales kundër presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, e ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve edhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.

Dështimi i takimit që parashihej të mbahej më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe  Serbisë, ka ndikuar që BE-ja të marrë rol primar në këtë proces. Kosova ka caktuar tanimë Skender Hysenin si koordinator shtetëror për dialogun, teksa kryeministri Hoti me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe shefit të politikës së Jashtme evropiane, Joseph Borrell është takuar me presidentin e Serbisë në Bruksel, Aleksander Vuçiq.

Por sa janë gjasat për një takim të dytë në Uashington?

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Alon Ben Meir, për lajmi.net shprehet shumë skeptik se administrata e Trumpit do të rikthejë vëmendjen që kishte pasur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, ai përmend problemet e brendshme në SHBA, si dhe fushatën elektorale të Trump, si elemente që kufizojnë angazhimet e Amerikës në dialog.

“Pasur parasysh trazirat e brendshme në SHBA, për shkak të gjendjes së koronavirusit dhe fushatën politike jashtëzakonisht akrizone për zgjedhjet e ardhshme, unë dyshoj shumë se administrata e Trumpit do të jetë në gjendje të përqendrohet në këtë pikë për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Ben Meir.

Sidoqoftë, edhe nëse ndodhë ndonjë përpjekje tjetër e SHBA-ve në këtë proces, Ben Meir shpreh dyshimet  e tij se do të rezultonte e suksesshme.

“Nëse në rastet tjera do të ketë edhe ndonjë tentim, kam dyshime edhe më të mëdha se kjo tentatië do të çonte drejt një përparimi,  nëse jo për ndonjë arsye tjetër, vetëm për kompleksitetin e këtij problemi”, është shprehur Ben Meir për lajmi.net.

E për një takim të dytë nuk flasin as nga zyra e Grenellit. Lajmi.net ka pyetur në këtë të fundit se a është duke u planifikuar mbajtja e një takimi të dytë në Uashington, apo SHBA-të kanë hequr dorë krejtësisht nga arritja e marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Dick Custin, zëdhënës i zyrës së Grenellit, për lajmi.net thotë se në këtë drejtim nuk ka ende diçka të re.

“Faleminderit për pyetjet, fatkeqësisht, s’ka ndonjë zhvillim për ju”, thotë ai për lajmi.net.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  nëse jo në rol primar, do të jenë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel edhe si ndihmues të BE-së.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, thotë se nëse ndërrohet administrata në SHBA, dhe Biden vjen në pushtet, ai do të punojë me BE-në për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Unë gjithmonë kam nënvizuar se BE-ja duhet të jetë ndërmjetësuesi kryesor në kërkim të një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë në varësi të rezultatit të zgjedhjeve në SHBA. Nëse Biden fiton zgjedhjet, ai me shumë gjasë do të punojë ngusht me BE-në për zgjidhjen e këtij konflikti”, shprehet në fund Ben Meir.

Procesi i dialogut me Serbinë, ka ndikuar edhe në rritjen e tensioneve në koalicionin qeverisës AAK-LDK-Nisma.

Partia e Ramush Haradinajt po e akuzon LDK-në për mostransparencë dhe mospërfillje në këtë proces.

Po ashtu, kjo parti bashkë me shumë akterë tjerë në Kosovë, përfshirë dhe presidentin Thaçi po kërkojnë me ngulm që në tavolinën e dialogut të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si garantor i vetëm i një marrëveshjeje me njohje reciproke. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Thaçi pas takimit me Hotin: Aty ku s’janë SHBA-të, s’mund të ndodhë njohja reciproke