Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Thaçi pas takimit me Hotin: Aty ku s’janë SHBA-të, s’mund të ndodhë njohja reciproke

9:54 | 24 Korrik 2020

Ka përfunduar takimi mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Hoti.

Të dy liderët pas këtij takimi kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë treguar për temat që janë diskutuar, shkruan lajmi.net.

Presidenti Thaçi para mediave tha se është me rëndësi jetike që në temat me interes nacional të ketë bashkëpunim ndërinstitucional.

“Është jetik që të ndodhë ky bashkëpunim ndërinstitucional për temat me rëndësi jetike. Diskutuam që si ta tejkalojmë sa më mirë, sa më shpejtë dhe sa më lehtë pandeminë. Diskutuam edhe për pakon ekonomike. Dhe një pikë e veçantë ka qenë dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Tutje, Thaçi tha se ka mirëpritur emërimin e Skender Hysenin si koordinator për dialogun, dhe se është në interes të Kosovës që dialogu të vazhdojë, por jo në nivel teknik.

“Unë kam mirëpritur emërimin e zotit Hyseni si koordinator shtetëror. Është në interes tonin që të ndodhë ky dialog. Por të njëjtën kohë ne duhet ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë shtetëror. Ne duhet të qartësojmë raportet mes dy shteteve. Ne nuk duhet të lejojmë që ky proces të bjerë në nivel teknik, sepse në nivel teknik nënkupton Status-Quo”, tha ai.

Sipas Thaçit, në një tavolinë ku nuk janë SHBA-të, s’ka njohje reciproke.

“E ritheksoj se jam i bindur se kudo që  aty ku nuk janë SHBA-të nuk mund të ndodhë njohja reciproke. Andaj jetike për ne është që në tavolinë të jetë edhe SHBA, natyrisht edhe BE”, tha presidenti.  /Lajmi.net/