Trajneri i Partizanit: Luajtëm mirë, tentojmë kualifikimin në Baku

Franco Lerda debutoi zyrtarisht në stolin e Partizanit, duke arritur të marrë një barazim pa gola, ndaj një kundërshtari mjaft të fortë si kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag Agdam.

Sport

10/07/2019 22:28

Në përfundim të takimit, italiani vlerësoi performancën e futbollistëve të tij dhe shprehu besimin se “të kuqtë” mund të tentojnë kualifikimin në takimin e ardhshëm në Baku.

A jeni i kënaqur me këtë rezultat, në këtë debutim zyrtar?
Jam shumë i kënaqur, pasi futbollistët e interpretuan mjaft mirë ndeshjen, përballë një kundërshtari mjaft të fortë në nivelin individual. Me pak më shumë fat, mund të kishim marrë edhe 3 pikët, por më pëlqeu shumë ndeshja.

A ishte një rezultat i drejtë, për atë që dhanë skuadrat?
Ata goditën një traversë nga një pozicion jashtë loje, ndërsa ne goditëm një traversë gjithashtu. Kundërshtari bëri më mirë në qarkullimin e topit, por rastet më të mira i patëm ne.

Jeni i kënaqur me lojtarët e rinj?
Po. Si Broja, ashtu edhe Brown, arritën të futen mirë në ndeshje dhe të realizojnë detyrat që u kisha ngarkuar.

A besoni te kualifikimi në Baku?
Atje do të jetë një ndeshje e hapur, pasi rezultati i sotëm e bën të tillë. Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të shpresojmë t’ia dalim.

A ka nevojë skuadra të kolaudohet më shumë në fazën sulmuese?
Patjetër që kemi ende punë për të bërë, pasi kemi mundësi për të bërë më mirë, por sot kishim një kundërshtar që qarkullon mirë topin dhe kjo na e vështirësonte disi punën në ndërtimin e aksioneve.