Tragjedia në Malishevë, flasin nga Policia: Deri më tani nuk kemi informatë për bombol gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët për ndonjë shpërthim aty

Një zjarr në një banesë në lagjen “Mirdita” në Malishevë ka përfunduar tragjikisht me tre viktima, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm të institucioneve emergjente. Komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj për media tha se policia është njoftuar për rastin rreth orës 12:55 dhe ka reaguar menjëherë duke aktivizuar njësitë përkatëse, transmeton lajmi.net. “Po, siç jeni…

Lajme

16/04/2026 18:54

Një zjarr në një banesë në lagjen “Mirdita” në Malishevë ka përfunduar tragjikisht me tre viktima, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm të institucioneve emergjente.

Komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj për media tha se policia është njoftuar për rastin rreth orës 12:55 dhe ka reaguar menjëherë duke aktivizuar njësitë përkatëse, transmeton lajmi.net.

“Po, siç jeni të njoftuar edhe ju për një rast tragjik që ka ndodhur sot në komunën e Malishevës, ne si polici në orën 12:55 minuta kemi pranuar një informatë për një banesë në banimin kolektiv social që është në lagjen ‘Mirdita’, që është duke u djegur një banesë dhe kemi njoftuar njësitë emergjente edhe njësitë e zjarrfikësve që t’u ofrojmë ndihmë banorëve që dyshohet që kanë qenë brenda”, tha ai.

Sipas tij, në vendngjarje kanë intervenuar menjëherë policia, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë gjetur persona në gjendje të rëndë dhe i kanë transportuar për trajtim.

“Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitë tona, njësitë zjarrfikëse edhe emergjenca shëndetësore, të cilët kanë hasur një person aty pa vetëdije, menjëherë është shoqëruar, është marrë dhe është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ndërsa dy fëmijët që kanë qenë në banesë janë dërguar nga një banues aty pranë”, tha ai.

Ai konfirmoi se tre persona kanë humbur jetën, të moshës 35, 9 dhe 12 vjeç.

“Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre në Qendrën e Mjekësisë Familjare, mosha e viktimave ka qenë 35, 9 dhe 12 vjeçar. Edhe në vendngjarje… Kjo është informata të cilën e kemi deri më tani”, tha ai.

Autoritetet bëjnë të ditur se banesa ka pësuar dëme të mëdha dhe se shkaku i zjarrit ende mbetet i panjohur.

“Banesa ka qenë shumë e djegur, edhe burimi i zjarrit edhe arsyeja janë duke u bërë hetimet e mëtutjeshme… Deri më tani nuk kemi informatë për bombol gazi…”, tha ai./lajmi.net/