Thaqi: Synojmë fitore kundër Dritës, janë rivalët tanë për titull, orari i “ngjeshur” po na bën mirë

Ballkani dhe Drita, dy “gjigantët” e futbollit kosovar në vitet e fundit do të ballafaqohen këtë të mërkurë për herë të parë këtë edicion në Superligën e Kosovës. Stadiumi i Qytetit në Suharekë do të jetë arenë e duelit mes dy kandidatëve për titull të kampionit, nga ora 13:00, e që është në kuadër të…

Sport

31/10/2023 17:49

Ballkani dhe Drita, dy “gjigantët” e futbollit kosovar në vitet e fundit do të ballafaqohen këtë të mërkurë për herë të parë këtë edicion në Superligën e Kosovës.

Stadiumi i Qytetit në Suharekë do të jetë arenë e duelit mes dy kandidatëve për titull të kampionit, nga ora 13:00, e që është në kuadër të xhiros së 12-të kampionale.

Megjithëse kanë kaluar vetëm 12 xhiro dhe ka ende shumë pikë deri në fund të edicionit, fitorja në këtë takim, qoftë për Ballkanin, qoftë për Dritën, do të thotë shumë për ecurinë e kampionatit.

Mbrojtësi me shumë përvojë dhe një nga futbollistët kyç të Ballkanit, Armend Thaqi, në një prononcim për lajmi.net thotë se ai me bashkëlojtarë po e presin ndeshjen me qetësi dhe janë të motivuar.

Jemi shumë të qetë para ndeshjes derbi dhe po e presim me shumë qetësi dhe motiv. Është ndeshje e vështirë dhe kundër rivalit për titull. Jemi përgatitur aq sa na ka lejuar koha, sepse është orari shumë i ngjeshur dhe duhet t’i përshtatemi kohës së ndeshjeve. Normalisht ne futemi për fitore, sepse jemi në një moment të mirë dhe dëshirojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë” – deklaroi fillimisht Armend Thaqi për lajmi.net.

Thaqi nuk bëri dallime mes skuadrave që synojnë titullin, por pranoi që Drita është një nga rivalët e Ballkanit në garë për titullin e më të mirit.

Është shumë herët për t’i ndarë ekipet se kush është favorit për titull sepse as gjysma e ndeshjeve nuk kanë kaluar dhe ka shumë kohë deri në fund. Drita një nga rivalët tanë dhe e dimë që kanë shumë cilësi brenda”, shtoi ai.

Përveç kampionatit elitar në Kosovë, Ballkani është i angazhuar edhe në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Kësisoj, orari për kampionët e Kosovës është më i “ngjeshur” për dallim nga ekipet tjera në vend.

Megjithatë, sipas Thaqit, orari i ngarkuar nuk po iu pengon “portokallezinjve”, përkundrazi.

Jemi ambientuar me orarin e ngarkuar dhe ndeshjet e shpeshta dhe flas për veten që vetëm po na bënë më mirë ky orar, sepse ekipi ka një përgatitje shumë të mirë fizike dhe vetëm me ritëm të lartë mund ta mbajmë këtë formë”, theksoi Thaqi.

Ballkani pësoi në ndeshjen e fundit në Ligën e Konferencës nga Astana 1:2 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë. Thaqi potencoi se humbja ishte e dhimbshme për ta, por që Ballkani do të luftojë në secilën ndeshje të radhës.

Ishte një humbje që dhemb shumë mirëpo prapë se prapë kemi edhe tri ndeshje deri në fund dhe do luftojmë secilën ndeshje që të arrijmë pikë sa më shumë pastaj në fund se çka na sjell fundi mbetet me u pa” – tha për fund futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi./Lajmi.net/