Thaçi për Frankfurter Rundschau: Partnerët na kanë siguruar për rrugën drejt integrimit
Gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, sot ka botuar një intervistë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Hashim Thaçin, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, ku është folur për krizën në Evropë, integrimin në BE, dialogun me Serbinë, ekstremizmin fetar, etj.

Lajme
Për gazetën gjermane, Thaçi ka thënë se BE mbetet projekti ma i suksesshëm i të gjitha kohërave, sa i takon sigurimit të paqes.
“Luftërat kanë përfunduar, tani të gjithë shikojmë kah e ardhmja. Për ne Evropa nuk është vetëm një treg i përbashkët, por është një sistem i vlerave, principeve, e përbërë pikërisht nga ato që ne i aspirojmë: Bashkëpunimi, solidariteti, toleranca, pluralizmi, Liria dhe të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.
I pyetur nga FR, nëse e ndjen Kosova që Evropa ka një lodhje nga zgjerimi, zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se partnerët e kanë siguruar se për shtetet e Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë dhe ajo është vetëm perspektiva evropiane. Dhe në këtë drejtim, sipas Thaçit, ekzistojnë edhe vepra konkrete, siç është procesi i Berlinit.
“Prandaj, unë them se nëse arrimë t’i plotësojmë kriteret e vështira, ne do të pranohemi në BE”, ka thënë ai.
Sipas kësaj gazete gjermane, është parë edhe një rritje e përnjëhershme e islamit radikal në Kosovë, por Thaçi ka thënë se as Kosova nuk është imune ndaj ideologëve të ISIS-it.
“Kosova edhe më tutje mbetet shteti më sekularë në rajon dhe mbi të gjitha një model i tolerancës ndërfetare. Megjithëkëtë, as ne, njëjtë si pjesa tjetër e kontinentit nuk jemi imun ndaj ideologëve të ISIS. Prandaj është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare të sigurisë”, ka thënë Thaçi, raporton Frankfurter Rundschau.
Duke folur për numrin e kosovarëve që kanë luftuar dhe po luftojnë në Siri, Thaçi ka thënë se që nga fillimi i luftës e deri më sot, supozohet që kanë qenë rreth 300 persona që iu kanë bashkuar ISIS-it, por jo të gjithë këta kanë qenë luftëtarë, sepse me veti kanë marrë edhe familjet e tyre. Kurse tash, ai ka thënë se janë edhe rreth 50 kosovarë që ende luftojnë atje.
“Deri më tani ne kemi ndërmarrë hapa të shpejt dhe shumë konkret. Kosova është pjesë e koalicionit botërorë kundër terrorizmit. Kemi miratuar një ligj në Kuvend që dënon pjesëmarrjen në ushtritë dhe luftërat e huaja. Vitin e shkuar kemi arrestuar rreth 100 persona, në mesin e tyre edhe hoxhallarë, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në luftë apo edhe për thirrje për pjesëmarrje”, ka treguar Thaçi.
Nga gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, zëvendëskryeministri Thaçi është pyetur edhe për pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në incidentin e armatosur në Maqedoni, duke aluduar në afërsinë e të vrarëve apo plagosurve me Ramush Haradinajn. Por, Thaçi ka mohuar se ata kanë pasur mbështetje nga ndonjë parti politike.
“Këta njerëz nuk kanë mbështetje nga asnjë parti politike, madje as nga vet qytetarët e Kumanovës. Ne kemi reaguar shumë shpejt. Në raportimin e fundit, Këshilli i Sigurimit ka lavdëruar Kosovën për qasjen e saj shumë konstruktive në këtë çështje”, ka thënë Thaçi.
Sipas FR, në rrugën për në BE, Serbia është disa hapa më larg se Kosova. Por, Thaçi ka theksuar se çdo shtet ka rrugën e saj drejt BE-së dhe disa janë më para në disa fusha, të tjerat në fusha tjera. “Përcaktuese është që të gjitha shtetet kanë cakun e përbashkët. Ne po shkëmbejmë përvojat dhe po mbështesim njëra-tjetrën. Ne dëshirojmë të shohim Serbinë si partnere, jo si pengesë në këtë rrugë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, i pyetur për të arriturat e dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen e prillit, Thaçi ka thënë se marrëveshja ka qenë një e arritur e madhe për Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin, pas qindra viteve konflikte, por që nga fillimi ka qenë e qartë, që implementimi do të jetë i vështirë.
“Ka vonesa, procesi është ngadalësuar. Por megjithëkëtë, implementimi asnjëherë nuk është ndalur. Komunikimi është duke vazhduar, liderët janë duke u takuar rregullisht. Tani kemi një marrëveshje për sigurimet shëndetësore. Në ditët në vazhdim do të kemi edhe sa i takon prefiksit për Kosovën dhe për asociacionin e komunave serbe. Takimet nuk i kemi reduktuar vetëm në mes politikanëve, por ka edhe në mes të artistëve, shkencëtarëve dhe mediave”, ka thënë Thaçi për Frankfurter Rundschau, sipas të cilit akulli tashmë është thyer.