Zgjedhjet e reja me afate të shkurtra, fushata pritet të jetë e kufizuar
Zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës tashmë janë të sigurta se do të mbahen, kjo si pasojë e mos-zgjedhjes më kohë të Presidentit të Kosovës që dërgoi deri në shpërbërjen e Kuvendit. Këto zgjedhje, që janë të tretat me radhë parlamentare që nga 2025-ta, do ta vendosin në një sfidë serioze Kosovën, por që…
Lajme
Zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës tashmë janë të sigurta se do të mbahen, kjo si pasojë e mos-zgjedhjes më kohë të Presidentit të Kosovës që dërgoi deri në shpërbërjen e Kuvendit.
Këto zgjedhje, që janë të tretat me radhë parlamentare që nga 2025-ta, do ta vendosin në një sfidë serioze Kosovën, por që për to KQZ ka filluar të përgatitet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se kanë nisur fazën përgatitore të procesit zgjedhor, dhe se po angazhohen në trajtimin e të gjitha çështjeve fillestare dhe urgjente që lidhen me organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Ai ka thënë se përgatitjet siç janë planifikimi i aktiviteteve zgjedhore, përcaktimi paraprak i afateve kohore, planifikimi i buxhetit si dhe koordinimi me institucionet relevant do të bëhen pas vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Pasi këto janë zgjedhje të parakohshme, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtëra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës, në pajtim me rrathanat dhe kohën në dispozicion të KQZ-së. Të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit, do të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër. Në këtë drejtim, KQZ do të përcaktojë afatin për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, tha Elezi.
Për fushatën zgjedhore, Elezi ka thënë se është më e shkurtër në krahasim me zgjedhjet e rregullta për shkak të afateve të kufizuara kohore.
“Në zgjedhjet e fundit të parakohshme, fushata zgjedhore ka zgjatur 11 ditë e 7 orë, ndërkaq për zgjedhjet e radhës, KQZ do të përcaktojë kohëzgjatjen e saj në përputhje me afatin e përgjithshëm kohor në dispozicion të KQZ-së për organizimin e të gjithë procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi për lajmi.net.
U.D e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dje ka takuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin për të biseduar në lidhje me datën e zgjedhjeve.
Pas këtij takimi, Radoniqi ka thënë se në bazë të asaj që e përcakton Kushteta, zgjedhjet mund të mbahen me 31 maj ose 7 qershor, e që ka thënë se iu duhet sa më shumë kohë, prandaj e ka parë 7 qershorin si datë ideale.
Në lidhje me datën e zgjedhjeve, Haxhiu sot do të takohet edhe me zyrtarë të partive politike. PDK, LDK dhe AAK e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. /Lajmi.net/