Haxhiu homazhe në Shtuticë: Vrasjet e foshnjave, grave e pleqve, dëshmi e gjenocidit të Serbisë

Sot shënohet përvjetori i rënies se 280 martirëve nga Verboci dhe fshatrat përreth, si dhe i 42 dëshmorëve që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. E në Shtuticë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nderuan të rënët. Para mediave, Haxhiu tha se vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave,…

Lajme

30/04/2026 11:10

Sot shënohet përvjetori i rënies se 280 martirëve nga Verboci dhe fshatrat përreth, si dhe i 42 dëshmorëve që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

E në Shtuticë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nderuan të rënët.

Para mediave, Haxhiu tha se vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“27 vjet më parë, Gllobari, Verboci, Shtutica, Tersteniku, Baksi, Polluzha dhe fshatrat tjera të Drenicës u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe. 276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, e disa të tjerë u dërguan në Rashkë të Serbisë me qellim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha ajo.

Pos tjerash, Haxhiu nderoi edhe heroin Ilaz Kodra, bashkë me 41 ushtarët e UÇK-së që ranë për liri sot 27 vjet më parë.

“Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre edhe heroi Ilaz Kodra i cili udhëhoqi Brigadën 114. Sot ne nderojmë veprën e tyre sublime, nderojmë jetën e martirëve, dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Janë ata që neve sot na mundësuan lirinë, shtetin e Kosovës dhe Pavarësinë të cilën duhet ta nderojmë me punë të vazhdueshme”, u shpreh ish-kryetarja e Kuvendit.