Thaçi: Do të kemi një qeveri stabile, proevropiane dhe multietnike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova së shpejti do të ketë qeveri stabile, proevropiane dhe multietnike. Ai këtë deklaratë e ka dhënë në një intevristë për gazetën austriake “Salzburger Nachrichten”.

Lajme

24/05/2017 14:46

Në këtë intervistë, Thaçi ka folur edhe për takimin e tij me presidentin austriak, Van der Bellen, për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, liberalizimin e vizave dhe situatën politike në Kosovë, transmeton lajmi.net

“Të gjitha partitë politike janë pro NATO-s dhe pro BE-së. Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht nuk do të ketë ndryshim të drejtimit, vetëm një ndryshim të ritmit. Disa do të kenë zgjidhje të shpejta, disa të tjera të ngadalshme. Unë pres zgjedhje të lira, demokratike me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve. Ne kemi ftuar vëzhgues të BE-së. Është një test tjetër, por edhe një konfirmim i pjekurisë së demokracisë në Kosovë. Unë mbetem i bindur se ne do të kemi një qeveri stabile, pro-evropiane dhe multi-etnike, e cila do të jetë në gjendje për të vazhduar reformat”, është shprehur Thaçi.

Kurse sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën,  Thaçi ka thënë se Kosova i ka plotësuar 94 kriteret, por sipas tij mbetet e papranueshme që BE-ja t’i izoloj Kosovën dhe qytetarët e saj edhe më tej nga Evropa, si të vetmin vend.

“Së pari Kosova kishte 94 kushte, të cilat Kosova që të gjitha i ka plotësuar. Pastaj, erdhi kushti i 95-të. Kjo nuk është përmbushur ende për shkak të çështjeve të brendshme politike. Unë shpresoj që ne do ta përmbushim sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, mbetet e papranueshme që BE-ja t’i izoloj Kosovën dhe qytetarët e saj edhe më tej nga Evropa, si të vetmin vend”, ka deklaruar Thaçi. /Lajmi.net/