Tetori rozë, IKShPK: Një muaj solidariteti kundër kancerit të gjirit

Tetori rozë-Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, përkrahur nga AQH dhe IHS, gjatë muajit tetor kanë organizuar aktivitete të ndryshme me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. ISHPK njofton se në bashkëpunim me QRShP dhe…

Lajme

01/11/2024 17:37

Tetori rozë-Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, përkrahur nga AQH dhe IHS, gjatë muajit tetor kanë organizuar aktivitete të ndryshme me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

ISHPK njofton se në bashkëpunim me QRShP dhe QKMF, janë mbajtur afërsisht 70 ligjërata në institucione publike dhe private, në shkolla të mesme dhe nivelit të lartë, publike dhe private.
“Në Mitrovicë, QRShP në bashkëpunim me OJQ ”Mundësia”, kanë organizuar marshin në shesh të qytetit, ku janë bashkëngjitur personat me shkop të bardhe, personat me Down Syndrome dhe personat me aftësi të kufizuara nga shoqata Handikos.” thuhet në njoftimin e ISHPK-së
ISHPK njofton tutje  se janë shpërndarë gjithashtu, materiale edukative-shëndetësore në institucione shëndetësore, shkollore, në komunitet, duke përfshirë edhe komunitetet jo shumicë; mbi 18 500 broshura në gjuhën shqipe dhe 1 500 në gjuhën serbe me informata për kancerin e gjirit.
Ndërkaq me  31 tetor ISHPK ka  organizuar Konferencën përmbyllëse për media me rastin e shënimit të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, e cila kishte për qëllim prezantimin e të dhënave për kancerin e gjirit dhe aktiviteteve vetëdijësuese të realizuara gjatë muajit tetor 2024 në Kosovë./Lajmi.net/