Tensione në protestën e djeshme në Tiranë, molotovë ndaj policisë dhe tre të arrestuar
Protesta e ditës së 19-të në Tiranë është zhvilluar e ndarë në dy fronte, me studentët e mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë. Studentët kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, kanë marshuar fillimisht drejt Kryeministrisë, ku kanë qëndruar…
Lajme
Protesta e ditës së 19-të në Tiranë është zhvilluar e ndarë në dy fronte, me studentët e mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Studentët kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, kanë marshuar fillimisht drejt Kryeministrisë, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.
Në krye të marshimit të PD-së kanë qenë deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati dhe të tjerë, të shoqëruar nga mbështetës të kësaj partie. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i kishte ftuar anëtarët, mbështetësit dhe qytetarët që t’i bashkoheshin protestës kombëtare, por vetë nuk ka marrë pjesë në marshim.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit demokratë janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët. Me të mbërritur në hyrje të Rrugës së Durrësit, ata janë pritur me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Gjatë kësaj kohe është shënuar edhe një përplasje verbale me një protestues, i cili u ka kërkuar deputetëve të opozitës të largohen.
Nga grupimi i protestuesve demokratë janë dëgjuar edhe thirrjet “Poshtë komunizmi”. Pas tensioneve të para mes dy grupimeve, protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë në zonën e Rrugës së Durrësit.
Situata është tensionuar më pas para Ministrisë së Arsimit. Policia e Shtetit u ka bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt efektivëve. Sipas policisë, personat që po hidhnin sende të forta ishin të maskuar dhe ishin identifikuar. Ajo u ka kërkuar protestuesve të tjerë të distancohen prej tyre.
Pavarësisht paralajmërimeve, disa protestues kanë vazhduar të heqin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hedhin në drejtim të policisë. Në zonën pranë ministrisë është krijuar edhe një re tymi, që fillimisht u raportua se vinte nga flakadanët, por më pas u sqarua se bëhej fjalë për tymin nga kazanët e mbeturinave të djegur.
Gjatë protestës, policia ka rikujtuar hyrjen në fuqi të aktit normativ të Qeverisë për protestat, i cili, sipas njoftimit të saj, ndalon mbajtjen e maskave dhe sulmet ndaj forcave të rendit. Për një kohë, efektivët nuk kanë ndërhyrë fizikisht, ndërsa në një moment është përdorur autoboti me ujë si masë parandaluese.
Rreth orës 15:20, protestuesit kanë hedhur bomba molotovë në drejtim të forcave të policisë, të cilat janë kundërpërgjigjur me autobotë uji.
Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh, protestuesit janë larguar nga zona pranë Ministrisë së Arsimit dhe kanë marshuar drejt Kryeministrisë. Qetësia ka zgjatur për pak kohë, pasi rreth orës 16:30, sipas raportimeve, disa protestues kanë hedhur sërish bomba molotovë në drejtim të efektivëve.
Policia ka ndërhyrë me autobotë uji dhe, përmes megafonëve, u ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë veprimet e dhunshme dhe të largohen nga perimetri i godinës.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë ditës përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar fotografi nga protesta pranë zyrës së tij, duke shkruar me ironi: “Ai momenti kur përsërit të njëjtën gjë dhe pret një rezultat të ndryshëm”.
Pas tensioneve para Kryeministrisë, policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve. Protesta është zhvendosur më pas në rrugët e Tiranës, ku protestuesit kanë hedhur bomba molotovë drejt autobotit të ujit në zonën e “Myslym Shyrit”. Disa të tjerë janë futur në rrugicat përreth, ndërsa policia ka vazhduar ndjekjen e tyre.
Pas një shpërndarjeje të përkohshme, protestuesit janë rikthyer para Kryeministrisë, ku kanë vazhduar tubimin me thirrje politike. Policia është kundërpërgjigjur me spraj me ujë dhe piper.
Sipas raportimit të Top Channel, tre persona janë arrestuar, ndërsa gjatë ndërhyrjes policia u ka sekuestruar edhe bomba molotov.