Teksa zjarret po bëhen më shkatërruese, sa e përgatitur është Kosova?
Rreth 50 mijë hektarë janë djegur nga zjarret në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit. Derisa shumica prej tyre thuhet të jenë nxitur nga dora e njeriut, ato ndodhën në kohën e temperaturave të larta dhe të thatësisë gjatë muajve korrik dhe gusht. Në përgatitje për sezonin e sivjetmë të zjarreve, Bashkimi Evropian ka thyer…
Lajme
Rreth 50 mijë hektarë janë djegur nga zjarret në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit. Derisa shumica prej tyre thuhet të jenë nxitur nga dora e njeriut, ato ndodhën në kohën e temperaturave të larta dhe të thatësisë gjatë muajve korrik dhe gusht.
Në përgatitje për sezonin e sivjetmë të zjarreve, Bashkimi Evropian ka thyer rekord me mobilizim, duke angazhuar qindra zjarrfikës dhe dhjetëra avionë e helikopterë.
Po Kosova?
Agjencia e Menaxhimit Emergjent thotë se gjatë dy vjetëve të fundit i ka përmirësuar pajisjet, por pranon se ende i duhen më shumë zjarrfikës dhe automjete.
Sot, Kosova ka rreth 800 zjarrfikës, ndërsa sipas standardeve do t’i duheshin 1 mijë e 100.
Ky hendek bëhet edhe më shqetësues kur merret parasysh se 2025-ta ishte sezoni më i rëndë i zjarreve i regjistruar ndonjëherë në Kosovë.
Rreth 18 mijë e 500 hektarë tokë u dogjën, dhe pothuajse gjysma e tyre ishte ishin pyje.
Sipas ekspertit të sistemeve të informacionit gjeografik dhe teledetektimit, Faruk Foniqi, zonat më të rrezikuara mbeten Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe Kopaoniku.
“Qasja në to është shumë e vështirë për shkak të releviet, rrugëve. Në shumicën e rasteve, Qeveria, komuna është detyruar të kërkoj ndihmën e KFOR-it”, ka thënë Foniqi.
Por, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e kapaciteteve. Foniqi thotë se Kosova ka qasje në të dhëna satelitore, por jo mjaftueshëm ekspertë për t’i përdorur ato.
BE-ja i përdor këto të dhëna për t’i monitoruar në kohë reale temperaturat, lagështinë e tokës dhe përhapjen e zjarreve.
Një valë e të nxehtit veçse u regjistrua këtë verë në Evropë, qysh në qershor si pasojë e së cilës u shkaktuan mbi një mijë vdekje shtesë.
Në Kosovë, përveç thatësisë e nxehtësisë, faktori njerëzor mbetet ndër shkaktarët kryesor të zjarreve në pyje.
Vetëm një cigare e hedhur, një shishe qelqi apo një zjarr i pashuar mund të mjaftojë për të shkatërruar pyje që duhen vite për t’u rikuperuar. REL