Të enjten takohet Sela me Zaevin: A do mbetet në qeveri Aleanca për Shqiptarët!?

Lideri i ASH, Ziadin Sela dhe Kryeministri Zoran Zaev të enjten përfundimisht do të takohen ku edhe pritet të sqarojnë dilemat lidhur me koalicionin e tyre, edhe pse disa herë është paralajmëruar për një takim të tillë ai nuk ka ndodhur pasiqë ai ka qëndruar në SHBA dhe kthehet nesër,

Lajme

19/12/2017 22:22

Tema e takimit do të jetë emërimi i ministrit të ri të shëndetësisë që sipas gjitha gjasave pritej t’i takojë partisë së Selës por nga LSDM kanë arritur informacione se ministër do jetë Venko Filipce derisa ASH ka dal me propozimin e tyre që ministër të jetë Vullnet Ferati.

Për kthim, ASH-së i është ofruar një zv.kryeministër për reforma derisa nga kjo parti duket se janë të painteresuar të marin këtë post.

Nga atje theksojnë se janë të hapur edhe për daljen nga qeveria por që ka mundësi që të arrihet ndonjë marrëveshje, madje dalja nga qeveria është opcioni më i padëshirueshëm.

Sipas gazetarit dhe opinionistit Naser Pajaziti po tentohet minimizimi i rolit të ASH në qeverinë e re.

“ASH si një parti në rritje ishte vendimtare sa i përket formimit të Qeverisë aktuale,  e cila u bë nën presione të mëdha dhe me shumë vështirësi, përmes një suporti të fortë ndërkombëtar. Kjo parti pagoi faturën sa i përket kësaj qeverie, sidomos lideri i saj i cili pësoi natën e 27 prillit. Është e qartë tendenca e një pjese të Qeverisë që ASH të përjashtohet nga Qeveria apo të minimozohet roli i saj, por nuk është gjithçka vetëm të numrat. Sepse një qeveri reformatore nuk mund të jetë me Amdi Bajramin apo mbetje të qeverisjes së kaluar si një deputet tregtues i GROM-it të Stevçe Jakimovskit. Këtë e di edhe Zoran Zaev”, thekson Pajaziti për Zhurnal.mk

Ai mes tjerave thekson se dita e enjte do jetë vendimtare ku edhe vet kryesia e ASH do të caktojë fatin e saj se a duhet të mbetet në qeveri apo jo.

“Poashtu, duke qenë se kjo qeveri ka një përkrahje të fortë të aleatëve dhe veprime në sinkron, Zaev nuk është ai që mund ta përjashtojë dikë nga Qeveria.  Dita e enjte do të jetë vendimtare, dhe është vetë kryesia e ASH që përcakton fatin e saj se a duhet të mbetet pjesë e kësaj qeverie apo të rreshtohet në opozitë. Por nga rrethanat e krijuara dhe presioni i madh, Zaev të enjten do gjejë kompromis me Selën, pasi që qeverinë që drejton e tij e pret një sfidë e madhe nga janari i 2018”, shton kështu Pajaziti për Zhurnal.mk

Krahas bisedimeve me LSDM, Sela duhet të sqarojë edhe paqartësitë edhe me Vesel Memedin të cilin e ka akuzuar se ka kaluar në BDI. Memedi atë e ka demantuar duke thënë se vazhdon të mbetet në aleancë me ASH-në. /Zhurnal.mk