Të dhënat personale të gazetares së njohur kosovare publikohen në një grup me 70 mijë anëtarë në Discord – vërshojnë mesazhet eksplicite

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të madh pasi të dhënat personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme në një grup në platformën Discord, i cili numëron rreth 70 mijë anëtarë. Sipas reagimit të AGK-së, në këtë grup është publikuar numri i telefonit i gazetares së emisionit Kiks…

Lajme

12/03/2026 23:17

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të madh pasi të dhënat personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme në një grup në platformën Discord, i cili numëron rreth 70 mijë anëtarë.

Sipas reagimit të AGK-së, në këtë grup është publikuar numri i telefonit i gazetares së emisionit Kiks Kosova, çka ka bërë që ajo të marrë dhjetëra mesazhe me përmbajtje eksplicite seksuale gjatë mbrëmjes së së enjtes, transmeton lajmi.net.

Nga kjo organizatë theksohet se rasti vjen vetëm pak muaj pasi gazetarja Thaçi–Mehmeti kishte raportuar gjerësisht për një grup të ngjashëm në platformën Telegram, të njohur si AlbKings, ku publikohen numra telefoni dhe të dhëna personale të grave me qëllim denigrimin e tyre.

AGK e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një formë të rëndë të ngacmimit online dhe duke vlerësuar se mund të jetë një fushatë hakmarrëse ndaj gazetares për shkak të raportimeve të saj.

Organizata ka shprehur solidaritet të plotë me gazetaren dhe u ka bërë thirrje institucioneve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme.

AGK kërkon nga autoritetet që të hetojnë administratorët e grupit dhe të punojnë për mbylljen e tij sa më shpejt, ndërsa personat përgjegjës për shpërndarjen e të dhënave personale të mbahen përgjegjës para drejtësisë./lajmi.net/