Takimi Kurti – Hamza, ZKM jep detaje: U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim liderin e PDK-së, Bedri Hamzën. ZKM përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar Hamzën për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. “Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim liderin e PDK-së, Bedri Hamzën.
ZKM përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar Hamzën për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik”, thuhet në njoftim.
Temë e bisedës sipas ZKM-së, ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.
“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, ka thënë Zyra e Kryeministrit.
Ata kanë njoftuar se pas Hamzës, Kurti neser do të takoj kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Presidenti duhet të zgjidhet deri më datën 5 mars, ose vendi do të shkoj në zgjedhje të reja. /Lajmi.net/