Tahiri: Koalicioni “FillimiRi” garantues i interesit nacional
Partia Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) e udhëhequr nga kryetarja e saj, Edita Tahiri, ka mbajtur takimin e kryesisë me kryetarët e degëve me qëllim të përgatitjeve për fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës që do të mbahen me 11 qershor 2017.
Lajme
Në fjalën e sajë, Kryetarja e ADK-së, Edita Tahiri, ka thënë se vazhdimi i koalicionit mes ADK-së dhe PDK-së dëshmon një parterit politik të vizionit dhe vlerave për shtetin dhe kombin dhe është në interes të gjithë qytetarëve të Republikës.
Ajo ka thënë se koalicioni “FillimiRi” i udhëhequr nga PDK është ganatues i interesit nacional sepse në përbërjen e sajë janë parti politike dhe politikanë që kanë dëshmuar përkushtimin për interesin nacional dhe pavarësinë e Kosovës në kohë më të rënda të luftës për liri dhe pavarësi për të vazhduar me vendosmëri ndërtimin e Kosovës si një shtet euro-atlantik.
“Ky është koalicion për ardhmëri, i lidershipit të devotshëm dhe të dëshmuar që premton një fillim të ri për progresin e vërtet për të cilin kanë nevojë qytetarët e vendit tonë. Koalicioni “FillimiRi” është koalicion i fitores për qytetarët, të cilët tashmë në tre mandate e kanë votuar fituesin, PDK-në dhe partnerët, dhe do ta bëjnë edhe tani, sepse e dinë që ne i mbajmë premtimet. Ky është koalicion për rritjen e Kosovës, rritjen e ekonomisë, punësimit dhe mirëqenien e qytetarëve dhe më shumë se kaq është koalicion i udhëhequr nga PDK e cila ka bërë rritjen e rrogave në sektorin publik, duke vënë në pozita të dinjitetshme shërbyesit civil për ti shërbyer mirë qytetarëve dhe shtetit”, ka thwnw Tahiri.
Më tej, Kryetarja Tahiri ka kërkuar mobilizim të plotë të strukturave të ADK-së dhe përkrahësve e simpatizantëve për arritjen e fitores së koalicionit “FillimiRi” të udhëhequr nga Partia Demokratike të Kosovës si fituese e njëpasnjëshme e tri zgjedhjeve nacionale dhe Kryetari i sajë Kadri Veseli që njëherit është lider i dëshmuar dhe bartës i listës për zgjedhjet e 11 qershor 2017.
Gjatë takimit me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve u diskutua strategjia e fushatës së Alternativës Demokratike të Kosovës dhe u konstatua se fitorja e radhës do të jetë konfirmim i angazhimeve të jashtëzakonshme që ADK ka dhënë gjatë tre mandateve të fundit qeveritare me ç ‘rast është kontribuar në forcimin e shtetit, jetësimin e vizionit euro-atlantik, shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit dhe ruajtjes së partneritetit strategjik me SHBA-të, BE-në dhe NATO-në.
Kryetarja Edita Tahiri theksoi se ky koalicion do të bëjë ndryshimet që i duhen Kosovës dhe qytetarëve tanë. Do ta bëjmë Kosovën me ushtrinë e sajë në bashkëpunim me aleatet tanë, do ta rrisim fuqinë e shtetit duke forcuar sundimin e ligjit dhe ekonominë dhe punësimet për të rinjtë tanë, do të avancojmë çdo sektor publik, që nga arsimi, shëndetësia, siguria, energjia, bujqësia, çështjet sociale, kulturore etj. Do të kujdesemi institucionalisht për veteranët e luftës, familjet e heronjve dhe martirëve, për gratë e mbijetuara nga dhuna e luftës, pensionistët, për persona me aftësi të kufizuara dhe grupet tjera në nevojë. Do të forcojmë rolin e rinisë dhe grave si potenciale strategjike të Kosovës. Ne kemi bërë dhe do të bëjmë ndryshime pozitive ashtu siç arritëm që Kosova të pavarësohet, që ne të jemi zot të vetes dhe ardhmërisë, që Kosova futet në rrugën zyrtare të integrimit evropian, përmes nënshkrimit të marrëveshjes historike në mes të Kosovës – BE-së për Stabilizim – Asocim dhe ashtu sikurse që vendosëm lidhjet zyrtare me NATO-n dhe shumë anëtarësime të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me synim që sa më shpejtë ta anëtarësojmë Kosovën në OKB. Koalicioni “FillimiRi” ka vizion, vullnet, dije dhe njeh mirë interesin nacional si një yll polar për politikat tona për shtetin, kombin dhe qytetarët.
Në pjesën e dytë të takimit, është krijuar shtabi zgjedhor në krye me Dren Zeka, nënkryetar i ADK-së, i cili do të jetë në koordinim të ngushtë me shtabin qendror zgjedhor të udhëhequr nga PDK-ja./Lajmi.net/