Szunyog e sheh pozitive që Kurti tash e radhit si prioritet të katërt dialogun me Serbinë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e sheh si zhvillim pozitiv deklarimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se dialogu me Serbinë do të jetë ndër katër prioritetet e Qeverisë së re të Kosovës.

Lajme

28/02/2021 09:30

Szunyog ka thënë se nga të mos qenit fare prioritet, në të qenurit numër katër, është lëvizje pozitive.

“Unë e kuptoj që ka një zhvillim pozitiv në ato deklarata nga të mos qenit aspak prioritet, në të qenurit prioritet numër gjashtë, tani është prioritet i katërt, kështu që unë mendoj se po shohim shenja të mira, pasi dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin”, tha Szunyog në një intervistë për Ekonomia Online.

Szunyog ka folur edhe për çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, për të cilën ka insistuar se nuk është në linjë me politikën e BE-së.

“Mirë për këtë unë mund të them vetëm që unë po u komunikoj qartë homologëve të mi të Kosovës që synimi për të hapur një ambasadë në Jerusalem nuk është në linjë me politikën e BE-së, nuk është në përputhje me prioritetet e sigurisë së jashtme dhe gjithashtu Bashkimi Evropian beson që nuk është në përputhje me angazhimet e tjera ndërkombëtare të Kosovës dhe po ashtu jo në përputhje me rezolutat e sigurisë së OKB-së dhe natyrisht që mund të krijojë një dilemë të caktuar. Por ne jemi shumë të qartë për këtë dhe gjithashtu supozoj që pasi Kosova të deklarojë qëllimin e tyre për t’u integruar në BE, do të ndjekë prioritetet e politikave të jashtme të BE-së”, ka shtuar Szunyog.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër Covid-19. Por sipas Szunyog, kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër koronavirusit pritet të arrijnë në muajin mars.

“Ne jemi duke pritur shpërndarjen e parë të vaksinave, shpresoj në javët ose ditët e ardhshme. E përsëris, është shpresa ime por po në mars”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Szunyog, thotë se e kupton zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës.

“Unë personalisht e kuptoj zhgënjimin e popullit të Kosovës me këtë pamundësi për të udhëtuar lirshëm; në të njëjtën kohë, në emër të institucionit të BE-së mund të them vetëm se Komisioni Evropian tashmë ka deklaruar se të gjitha kushtet janë përmbushur në vitin 2018, Parlamenti Evropian e rikonfirmoi këtë pozicion disa herë, gjithashtu është përfshirë në këtë projekt-rezolutë të fundit, dhe tani i takon Këshillit të BE-së të vendosë, dhe ky vendim merret nga vendet anëtare, të gjitha 27 anëtaret duhet të bien dakord për këtë dhe pastaj të votojnë për të. Mund të them që organi që është përgjegjës për atë paraprihet nga presidenca e radhës që do të thotë se gjysma e parë e këtij viti është Portugalia dhe gjysma e dytë është Sllovenia dhe kjo varet nga vendi i presidencës se si do të planifikoj agjendën e këtij takimi dhe kur do të vendoset në agjendën e takimit dhe pastaj varet nga 27 shtete anëtare se si vendosin për këtë çështje. Por unë po ua them të njëjtën gjithashtu homologëve të mi të Kosovës që duhet të jenë edhe më të afërt me këto shtete anëtare. Veçanërisht për ata që kanë disa çështje ose pyetje, por unë do të nënvizoja se është e rëndësishme të punohet me 27 shtete anëtare. Sigurisht, unë e kuptoj që me situatën pandemike është e vështirë për të udhëtuar dhe për të dalë dhe për të dialoguar me shtetet, por unë mendoj se kjo është diçka që duhet bërë”, tha Szunyog.