Supremja merr vendim për Skender Krasniqin, të akuzuar për vrasjen e djalit të tij
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi, në rastin e të dënuarit Skender Krasniqi për vrasjen e djalit të tij nga pakujdesia.
Lajme
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se supremja e ka konsideruar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që ishte ushtruar nga avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi kundër aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarit S.K. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti i Përgjithshëm P.nr.3269/2021 të datës 03.12.2021 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.31/2022 të datës 25.02.2022”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Gjykata Themelore në Prishtinë Skender Krasniqin, e kishte e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të KPRK-së dhe e kishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 5 muaj të cilin vendim me pas e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.
Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë të përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë kanë paraqitur mbrojtësit e të dënuarit, avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.
Ata kanë propozuar që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovoj si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, t’i anuloj aktgjykimet e kundërshtuara dhe çështjen ta kthej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë apo gjykatën e shkallës së dytë ose të ndryshoj aktgjykimet e kundërshtuara dhe i dënuari të lirohet nga dënimi bazuar në dispozitën e nenit 74 par.1 nënpar.1.1 të KPRK-së, pasi që sipas tyre ekzistojnë bazat e posaçme të lirimit nga dënimi për veprën penale nga pakujdesia.
Ndërsa, sipas këtij aktgjykimi Gjykata Supreme e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave e lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve në kërkesë ka gjetur se kërkesa është e pabazuar, ngase sipas Supremes aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa, nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, përkundër faktit se në rastin konkret qëndrojnë pretendimet se vepra penale është kryer nga pakujdesia dhe se pasojat e kanë goditur të dënuarin pasi që ka humbur djalin e tij, megjithatë bazuar në dispozitën e nenit 74 par.1 nënpar.1.1 të KPRK-së, është përcaktuar se kjo dispozitë nuk e ka karakterin imperativ, përkatësisht i ka dhënë diskrecion gjykatës që në këto raste varësisht prej rrethanave edhe të mund të aplikohet” thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Megjithatë, sipas këtij aktgjykimi thuhet se shkelje e ligjit penal bëhet vetëm në rastet kur në marrjen e vendimit për dënim gjykata i ka tejkaluar kompetencat ligjore e cila në rastin konkret nuk ka ndodhur.
“Përndryshe, duhet theksuar faktin se nuk është në kompetencë të Gjykatës Supreme të Kosovës shqyrtimi i lartësisë së dënimeve të shqiptuara, por e rëndësishme është se me rastin e shqiptimit të dënimit nuk janë tejkaluar kompetencat ligjore, dhe arsyet e dhëna përkitazi me vendimin për dënim, nuk janë të përfshira në shkelje procedurale” thuhet ne arsyetimin e këtij aktgjykimi.
Ndryshe, aktakuza ndaj Skender Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2021, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).
Aty është bërë e ditur se Skender Krasniqi, më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, nga pakujdesia ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin Albert Krasniqi.
Sipas aktit akuzues, kur tani i ndjeri ia ka lëshuar në dorë babait të tij revolen e tipit “TT M57” për ta shikuar, për të cilën thuhet se ka dashur që ta blejë, revolja ka shkrepur në duart e Skender Krasniqit në drejtim të djalit të tij, duke e qëlluar në gjoks, pas çka i njëjti ka mbetur i vdekur ne vendin e ngjarjes.